Man.United një makineri golash në Evropë, por Amorim nuk feston: Mund të ndodhë gjithçka
United bën “djallin” në Evropë, me ekipin e Amorim që sheh dritë në fund të tunelit. Jashtë çdo objektivi në Premier League, shpresa e vetme dhe e fundit për të shpëtuar këtë sezon mbetet Europa League. “Djajtë e kuq” hedhin një hap të sigurt drejt finales së madhe teksa triumfuan me rezultatin e pastër 0-3 përballë Athletic Bilbao, për më tepër në shtëpinë e spanjollëve, në San Mames.
United ishte në një mbrëmje fantastike, ku pas vetëm 6 minutash iu anulua një gol për pozicion jashtë lojë, por në minutën e 30-të askush nuk mund të ndalte festën e United, me Casemiro-n që në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Pesë minuta më vonë, Hojlund fitoi një 11-metërsh, jo vetëm kaq, por Bilbao mbeti me 10 lojtarë pasi Vivian u ndëshkua me karton të kuq. Nga pika e bardhë e penalltisë, Bruno Fernandes u tregua perfekt duke dyfishuar shifrat. United nuk u mjaftua me kaq, por në fundin e pjesës së parë, sërish Fernandes gjeti rrugën e rrjetës duke kompletuar “dopietën” e tij personale dhe golin e tretë për United.
Në fraksionin e dytë, ekipi i Amorim administroi me qetësi këtë rezultat të madh që e bën kualifikimin në finale një formalitet. Është e pabesueshme teksa sheh United në Evropë dhe United në Angli. Me këtë tregolësh përballë Bilbaos, United e dërgon në 19 numrin e golave të shënuar në Evropë, ndërsa në Premier League gjatë vitit 2025 kanë shënuar vetëm 18 gola. Pavarësisht suksesit të pastër, Amorim nuk e bën gjumin i qetë, për të është edhe ndeshja e kthimit për t’u luajtur:
“Sigurisht, ky është një avantazh i rëndësishëm, do të luajmë edhe përballë publikut tonë, por situata mund të ndryshojë totalisht. Është ende një ndeshje për t’u luajtur, mund të ndodh gjithçka”, u shpreh Amorim.
()