Sat, May 3, 2025

Dje u ekstradua nga Dubai/ I dënuar me burg përjetë për 3 vrasje, porositi edhe eliminimin e dhëndrit të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini/ Kush është Florenc Çapja

  • PublishedMay 3, 2025

Nën masa të rrepta sigurie, Policia e Shtetit finalizoi të premten ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare.

Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pasditen e së premtes rreth orës 17.00.

Kush është Florenc Çapja

44 vjeçari konsiderohet si një ndër eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan dhe nipi i kreut të bandës së Çapjave, Ardian Çapja. Të dy këta persona, xhaxha e nip janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme për porositjen e vrasjes së shtetasve Nezir dhe Gentian Beqiri, babë e bir që u ekzekutuan në shtëpinë e tyre më 12 gusht 2012.

Sipas hetimit të kryer nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, vrasja e tyre është porositur nga Ardjan e Florenc Çapja. Ervis Bardhi e Olsi Leku janë paguar me 50 mijë euro, ndërsa Klajdi Dokli në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë banor i lagjes dhe ka vëzhguar me imtësi personat që hynin dhe dilnin nga shtëpia e familjes Beqiri.

Këto informacione ai jua jepte anëtarëve të familjes Çapja, çka solli më vonë dhe krimin e rëndë.

Edhe Etien Cani ka pasur rolin e informatorit. Ditën e ngjarjes ai ka parë nënën e Gentian Beqirit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar dhe mandej ka informuar atentatorët. Veç nënës, janë larguar nga hyrja e pallatit për të qëndruar brenda në makinë dhe dy policët që bënin roje.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në GJKKO kërkesën për konfiskimin e pasurive të paluajtshme të shumëkërkuarit për vrasje, Florenc Çapja. Këto pasuri janë sekuestruar gjatë një hetimi pasuror, të cilat Çapja nuk justifikon dot prejardhjen duke ngritur dyshimet se janë siguruar nga aktivitete kriminale.

Dhjetë pasuritë e sekuestruara përfshijnë toka, ndërtesa, automjete si dhe subjekte ekonomike me veprimtari Bar Kafe e lavazh.

1- Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.

2- Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m2 , sipërfaqe ndërtese, 25.73 m2 , me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

3- Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).

4- Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).

5- Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.

6- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

7- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

8- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.

9- Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.

10- Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

()

 


AlbaniaWeb.net