Mon, May 5, 2025

As Madonna s’e bëri dot: Lady Gaga thyen rekordin në Rio

  • PublishedMay 4, 2025

As Madonna s’e bëri dot: Lady Gaga thyen rekordin në Rio

Lady Gaga ka hyrë në histori me një koncert madhështor në plazhin Copacabana të Rio de Janeiros më 3 maj, ku një turmë e jashtëzakonshme prej rreth 2.5 milionë fansash u mblodh për ta parë live – duke e bërë këtë koncertin më të ndjekur nga një artiste femër në historinë e muzikës.

Ylli i popit, që nuk kishte performuar në Brazil për më shumë se një dekadë, e nisi shfaqjen me hitin “Bloody Mary” dhe vazhdoi me një kombinim të klasikëve si “Poker Face”, “Shallow”, “Paparazzi” dhe këngë nga albumi i saj më i fundit Mayhem.

“Asgjë nuk më kishte përgatitur për emocionin që ndjeva mbrëmë… krenaria dhe gëzimi i jashtëzakonshëm që ndjeva duke kënduar për popullin e Brazilit,” shkroi Gaga në një postim emocionues në Instagram. Ajo falënderoi fansat brazilianë dhe të gjithë “Little Monsters” për besnikërinë, duke shtuar:
“Nëse humbet rrugën, mund ta gjesh përsëri nëse beson tek vetja dhe punon fort.”

Gjatë koncertit, ajo e theksoi momentin historik:
“Sonte po bëjmë histori! Ju falenderoj që po e bëni këtë bashkë me mua.”

Ndërkohë, autoritetet braziliane njoftuan pas koncertit se kishin parandaluar një sulm me bombë të planifikuar nga një grup që përhapte urrejtje ndaj fëmijëve dhe komunitetit LGBTQ+. Fatmirësisht, ngjarja përfundoi pa incidente.

Ky koncert i jashtëzakonshëm ia rrëmbeu rekordin Madonnës, e cila kishte mbledhur 1.6 milionë njerëz në të njëjtin vend një vit më parë. Gaga tani renditet e dyta pas Rod Stewart, i cili mban rekordin absolut me 3.5 milionë pjesëmarrës në koncertin e tij në vitin 1994, po në Copacabana.

“Paws up, little monsters,” përfundoi Gaga. “Unë nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Obrigada!”