Sun, May 4, 2025

Dhunuan shoferin e kamionit, arrestohet vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati

  • PublishedMay 4, 2025

Alti Nallbati, vëllai i kandidatit të PD Bledjon Nallbati, është arrestuar në lidhje me konfliktin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qarkun e Korçës.

Sipas policisë, ndaj 42-vjeçarit rëndojnë veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Kujtojmë se kandidati i PD në qarkun e Korçës Bledion Nallbanti, dhe vëllai i tij Alti Nallbati, i njohur si “Duçja”, janë përfshirë mbrëmjen e djeshme në një konflikt me një drejtues kamioni.
Sipas burimeve, mësohet se në deklarimet e dhëna në prokurori, deputeti së bashku me vëllanë janë shprehur se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga mbrapa.

Njoftimi i policisë: 

Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike dhe kryerjes se veprimeve të tjera hetimore, rezultoi se më datë 03.05.2025, rreth orës 21:15 ,  në  afërsi  të rrethrrotullimit të Mirasit  në qytetin e Bilishtit  shtetasi A.N, ka  ndaluar automjetin  me të cilin lëvizte bashkë me vëllanë e tij shtetasin B.N (kandidat për deputet i një subjekti politik) duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor.

Shtetasi A.N ka dalë nga automjeti dhe ka debatuar verbalisht me  një drejtues kamioni, dhe më pas ka tentuar ta zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D, dhe ka tentuar ta qëllojë me grushte si dhe ta ofendojë duke kryer veprime të pa hijshme në publik. Në këtë konflikt është përfshirë  edhe vëllai i  tij, shtetasi B.N, ku fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën por më pas, bazuar në pamjet filmike ka tentuar të zbresë me forcë  nga kamioni shtetasin S.D.


AlbaniaWeb.net