Sun, May 4, 2025

“Mendon se do bindë shqiptarët me sukseset imagjinare”, Berisha nga Mirdita: Rama ka 3 ditë që qarkullon me thesin e rrenave mbi shpinë

  • PublishedMay 4, 2025

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot takimin përmbyllës elektoral me qytetarët e Mirditës, në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në një atmosferë të ngrohtë dhe mbështetëse, Berisha deklaroi se kjo është “java e njëshave”, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të sjellë fitoren e opozitës.

“Me numrin e Zotit, njëshat kanë marrë në dorë fatin e Shqipërisë. Kanë marrë në dorë fitoren e shumëpritur,” tha ai, duke përshkruar një popull të “ringritur me shpresë e besim për t’u ndarë nga një e keqe që kurrë nuk e kanë merituar”.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mashtrojë shqiptarët me “suksese imagjinare” dhe një valixhe të mbushur me premtime të rreme. “Ka tre ditë që qarkullon nga një qytet në tjetrin me thesin e rrenave mbi shpinë,” u shpreh ai.

Berisha vuri në dukje se qeverisja e Ramës ka ndalur rritjen e pensioneve jo për mungesë fondesh, por për shkak të abuzimeve me projektet publike. Ai risolli në vëmendje emigrimin masiv dhe zbrazjen e zonave si Mirdita, që sipas tij është pasojë e keqqeverisjes.

“Shkon në Vlorë dhe thotë se ka investuar 1.26 miliardë euro. Shkon në Shkodër dhe flet për 1.3 miliardë. Po kush i beson më këto rrena?” tha Berisha, duke shtuar se Rama nuk përfaqëson as qytetet, as shqiptarët, por vetëm interesat e një klike të korruptuar.

Në mbyllje, Berisha ftoi qytetarët të votojnë më 11 maj për të sjellë ndryshimin dhe për të rifituar shpresën.


AlbaniaWeb.net