Mon, May 5, 2025

‘Mundësia’ në Elbasan/ Shehaj: Na sulmojnë se jemi parti e tretë. S’do shitemi kurrë

  • PublishedMay 4, 2025

Nga takimi me qytetarët e Elbasanit, Agron Shehaj tha se “Mundësia” sulmohet nga kryeministri Rama për shkak se është forcë e tretë në vend, siç e kanë nxjerrë edhe të gjitha sondazhet.

Shehaj theksoi se ndryshe nga partitë e tjera të treta me të cilat Rama ka bërë pazare, “Mundësia” nuk do shitet kurrë, pasi ka njerëz që kanë zgjedhur t’ia dalin me punë të ndershme.

“Me sa duket, Edi Rama shikon sondazhet, dhe unë ju garantoj se sondazhet nuk i kanë dalë mirë, përkundrazi, i kanë dalë shumë keq dhe ka filluar të na sulmojë. Por ne nuk i trembemi sulmeve të Ramës për një arsye të thjeshtë. Ne kemi një projekt afatgjatë, jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet e 11 Majit janë hapi i parë. Thotë që s’na duhet një parti e tretë, sepse u referohet partive me të cilat ka bërë pazare, por nuk ka shans që të na blejë siç ka bërë me gjithë të tjerët, sepse ne nuk jemi në shitje.

Siç e thashë, Edi Rama nuk e ka me mua, e ka me ju. Tha që Agroni ka ndonjë inat, po çfarë inati mund të kem unë me Edi Ramën. Unë ia kam dalë edhe pa Edi Ramën, edhe pa politikën, sepse kam zgjedhur rrugën e punës, rrugën që kanë zgjedhur pjesa më e madhe e shqiptarëve. Ky është problemi që ai ka, sepse përherë të parë në Parlament do ketë deputetë të pakorruptuar e të pakapshëm, që do përfaqësojnë njerëzit që punojnë”, tha Shehaj.

Kreu i Mundësisë foli edhe për rrugëtimin e forcës së tij politike, e cila në më pak se 10 muaj ka arritur të jetë forca e tretë në vend, teksa shtoi se pas 34 vitesh, në Parlament do të ketë një forcë politike që nuk premton qiqra në hell, por që përfaqëson qytetarët e thjeshtë.
“Në më pak se 1 vit, shikoni ku jemi. Kemi bërë takime pothuajse në të gjitha qarqet, bëmë hapjen e fushatës dhe kemi mbylljen e fushatës të premten. Askush nga ata nuk e besonte se pas 9 muajsh do ishim këtu ku jemi sot. Partia e tretë në Shqipëri në më pak se 10 muaj, dhe ky është vetëm fillimi.

Pas 34 vitesh, në politikë ka një parti që nuk u premton qytetarëve qiqra në hell, por përfaqëson qytetarët e thjeshtë, ata që nuk kërkojnë favore apo privilegje, por vetëm të punojnë dhe të jetojnë me ndershmëri”, u shpreh Shehaj.


AlbaniaWeb.net