Mon, May 5, 2025

“Kupa Dumrea” në Grekan të Belshit, një festë e vërtetë për sportin dhe rininë e zonës

  • PublishedMay 5, 2025

Këtë mesjavë me nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Njësinë Administrative Grekan të Bashkisë Belsh u zhvillua një nga aktivitetet më të mëdha dhe më përfaqësuese të jetës sportive dhe shoqërore të zonës ,kampionati i futbollit dhe volejbollit në kuadër të eventit “Kupa Dumrea”.

Sipas Erald Shkodranit, mësues i edukimit fizik dhe organizator i “Kupa Dukrea” ku aktivitet u mbajt në ambjentet sportive  të shkollës 9-vjeçare Grekan ku u mblodhën qindra të rinj e të reja nga disa shkolla të zonës, të cilët jo vetëm konkurruan, por edhe krijuan një atmosferë entuziaste  që shpalosi frymën e bashkëpunimit, pasionit dhe përkushtimit ndaj sportit.

Finalet e këtij kampionati u zhvilluan më gjatë paradites së Martë dhe u kthyen në një ngjarje të shumëpritur për komunitetin lokal. Ambientet e shkollës pritën me krenari këtë organizim, ndërsa rrethinat  u mbushën me mbështetës, mësues, nxënës dhe banorë të fshatit Grekan.

Të pranishëm në këtë event madhor ishin edhe përfaqësues nga Zyra Vendore Arsimore e Belshit dhe administratori i Njësisë Administrative Grekan të cilët përshëndetën pjesëmarrësit dhe theksuan rëndësinë që kanë ngjarje të tilla për zhvillimin e rinisë dhe komunitetit.

Organizimi i eventit ishte i një niveli të lartë dhe në mënyrë të kujdesshme u menaxhua edhe nga Policia Bashkiake e Bashkisë Belsh e cila siguroi mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive dhe garantoi një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Finalet e Kampionateve të futbollit dhe volejbollit u zhvilluan në dy disiplina kryesore sportive, futboll dhe volejboll. Pasioni, talenti dhe përkushtimi i nxënësve u reflektua në çdo moment të ndeshjeve, ndërsa skuadrat treguan një nivel të admirueshëm bashkëpunimi, teknikë dhe respekti për njëri-tjetrin. Në fund të ndeshjeve finale, ekipet që u shpallën kampionë u nderuan me trofetë e fituesit, ndërsa të gjithë nxënësit pjesëmarrës në finalet respektive u vlerësuan me medalje për kontributin dhe përkushtimin e tyre.

Përveç trofeve dhe medaljeve, në kuadër të këtij aktiviteti u shpërndanë edhe 3 topa (futbolli dhe volejbolli), 4 rrjeta për volejboll, si dhe çertifikata pjesëmarrjeje për çdo shkollë që mori pjesë në kampionat – një vlerësim simbolik, por shumë domethënës për përfshirjen dhe kontributin e tyre. Shkollat pjesëmarrëse në kampionatin “Kupa Dumrea” ishin:

  • Shkolla 9-vjeçare Grekan
  • Shkolla 9-vjeçare Marina-Dushk
  • Shkolla 9-vjeçare Dragot
  • Shkolla 9-vjeçare “Ramadan Kasa” (Seferan)
  • Shkolla e Mesme e Bashkuar “Hekuran Bezati” (Deshiran)
  • Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mehmet Bajraktari” (Shales)
  • Shkolla 9-vjeçare “Jashar Dunga” (Seferan)

Përmes këtij organizimi të suksesshëm, u përçua një mesazh i fortë mbi rëndësinë e sportit në edukimin e brezave të rinj, si një mjet për zhvillim fizik, emocional dhe shoqëror. Kupa “Dumrea” dëshmoi edhe njëherë se kur bashkëpunojnë institucionet arsimore, pushteti vendor dhe komuniteti, krijohen mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e qëndrueshëm të të rinjve dhe promovimin e vlerave të shëndetshme.

Shkolla fituese në këtë Kampionat Futboll  u shpall Shkolla 9-vjeçare Dragot, ndërsa Shkolla 9-vjeçare Marinz e Dushkut fitoi Kupën në Volejboll. Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt organizimeve të ngjashme në të ardhmen, me synimin për të kthyer Belshin dhe zonat përreth në një model pozitiv të përfshirjes së sportit në jetën e përditshme të shkollave dhe komunitetit lokal.

()


AlbaniaWeb.net