Baldoni mbyll organizatën e tij bamirëse për shkak të betejës ligjore me Blake
Mosmarrëveshja e tij ligjore me Blake Lively duket se i ka kushtuar Justin Baldonit shumë më tepër sesa fama e tij.
Regjisori ka përfunduar një nga nismat e tij bamirëse, ndërsa Fondacioni Wayfarer njoftoi mbylljen e tij. Organizata bamirëse e themeluar nga Justin Baldoni me biznesmenin Steve Sarowitz në vitin 2021, me qëllim ndryshimin shoqëror dhe përparimin shpirtëror të njerëzimit, ka filluar procesin e mbylljes përfundimtare, siç u njoftua përmes një njoftimi zyrtar nga Sarowitz në Instagram.
Vendimi u mor unanimisht nga bordi i drejtorëve dhe vjen vetëm disa muaj pas akuzave të Blake Lively kundër aktorit dhe regjisorit për ngacmim seksual dhe një fushatë shpifjesh, akuza që kanë çuar në padi me vlerë qindra miliona dollarë nga të dyja palët.
“Gjatë katër viteve të fundit, Fondacioni Wayfarer ka mbështetur dhjetëra partnerë, përfitues në kryerjen e misionit të tyre”, tha Sarowitz në një deklaratë të postuar në Instagram, duke shtuar: “Jam jashtëzakonisht krenar për ndikimin që ka pasur kjo organizatë dhe thellësisht mirënjohës ndaj stafit tonë, bordit të drejtorëve, donatorëve dhe partnerëve.”
Në të njëjtën deklaratë, biznesmeni 60-vjeçar njoftoi se, me vendim unanim të bordit të drejtorëve, po fillon procesi i ndërprerjes së veprimtarisë së organizatës. “Ne do t’i respektojmë të gjitha detyrimet aktuale të sponsorizimit ndërsa ecim me kujdes përpara me mbylljen e operacioneve tona në javët e ardhshme “, shtoi ai. “Edhe pse Fondacioni Wayfarer po mbyllet, angazhimi im personal ndaj filantropisë mbetet i palëkundur dhe do të vazhdoj të punoj drejt një ndikimi pozitiv shoqëror përmes vizionit tonë.”
Steve Sarowitz pranoi se njoftimi mund të ketë ardhur si surprizë, por theksoi se ekipi i Wayfarer po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që “gjithçka të përfundojë me kujdes dhe vëmendje”. Edhe pse arsyeja e mbylljes së organizatës nuk u zbulua zyrtarisht, vendimi vjen në një kohë kur Baldoni është në një betejë të fortë ligjore me Lively-n.