‘Sy më sy’ me komunitetin rom, që politika e kujton vetëm për vota

Pllumb Dungajn e njohin të gjithë në kafenenë përballë pallateve sociale në periferi të Tiranës, ku jeton një numër i madh familjesh të komunitetit rom dhe egjiptian.
Pllumbi i përket komunitetit rom, është rritur në jetimoret e Shqipërisë nga Lezha në Korçë deri në moshën 18 vjeç dhe falë një burse, studioi më pas në Turqi për Shkenca Politike dhe kreu një specializim për kujdestari Psiko-sociale pas kthimit në Shqipëri. Por pavarësisht profilit të tij të shkollimit, ai ka punuar kryesisht në sektorin e pastrimit dhe aktualisht është i papunë.
Në zonën e Shkozës e përshëndesin me pseudonimin ‘Pupa’ – emri i tij artistik me të cilin ka ndërtuar prej shtatë vitesh një llogari të suksesshme në TikTok, ku nën emërtimin “Sy më Sy” diskuton live tema sociale që nga edukimi, prindërimi dhe çështje të tjera.
Dungaj qesh kur ia vëmë në dyshim vërtetësinë e ‘Sy më sy’, pasi me të njëjtin emërtim kryeministri Edi Rama prej 2 muaj ka hapur një rubrikë në rrjetet e tij sociale ku komunikon live me ndjekësit e tij.
“Nuk ia kam vjedh unë atij, ai ndoshta ma ka vjedh mua, po s’dua të merrem me këtë gjë se kam ndjekësit e mi që më duan e më vlerësojnë,” thotë ai.
Aktivist prej shumë vitesh për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, Pupa mund të flasë me orë të tëra për njerëzit e tij, hallet e tyre dhe se si politika ka dështuar t’i adresojë ato.
Komuniteti rom dhe egjiptian vijon të ndjehet i përjashtuar, ndërsa përballet me sfidat për punësim dhe strehim.
“S’ka shans për integrim,” përsërit Dungaj prerë, ndërsa na shpjegon se banesat sociale të dhëna me qera të ulët nga bashkia para më shumë se 10 vitesh nuk i kanë zgjidhur problemet e komunitetit.
“E vetmja punë që u ofrohet është pastrimi, puna më e rëndomtë,” thotë më tej ai, ndërsa shton: “dhe atje duhet me hy me mik”.
Dungaj vetë ka punuar si pastrues i rrugëve të Tiranës kur ishte vetëm 17 vjeç, ndërsa ndiqte dhe shkollën, ndërsa më vonë i janë ofruar po ashtu punë në këtë sektor si inspektor, pavarësisht profilit të tij të arsimimit.
“Çdo muaj paraqitem në zyrën e punësimit, më duket sikur jam me ‘arrest shtëpie’ dhe po bëj apelin në komisariat,” e përshkruan ai përpjekjen aktuale për të gjetur një punë.
Politika ka luajtur me varfërinë e këtij komuniteti sa herë ka zgjedhje dhe dhënia e banesave sociale nga bashkia e Tiranës apo e një pune në sektorin e pastrimit përkthehet prej tyre si ‘detyrim’ për t’i dhënë votën Partisë Socialiste.
“PS-në do votoj se kemi 10 vjet që nuk paguajmë as qera, as drita, as ujë,” na përgjigjet pa hezituar Astriti, 41 vjeç, baba i 6 fëmijëve. Kërkesa e tij e vetme për ata që do të fitojnë në 11 maj është ‘të na falë këto banesat, t’i kemi tonat’. Ai punon në kompaninë e pastrimit të bashkisë ‘Eco Tirana’.
Astriti thotë se për fushatë i ka takuar ‘Ornela’, të cilën ai e identifikon si drejtoresha e pallateve sociale, ndërsa nuk di të ketë pasur takime elektorale ndonjë kandidat për deputet gjatë kësaj fushate.
Lëmoshë në këmbim të votës

Në pallatet sociale në zonën e Shkozës strehohen mbi 200 familje, por jo të gjithë janë të komunitetit rom dhe egjiptian, ndërsa në disa kabina përdhese ngjitur me pallatet strehohen rreth 60 familje të tjera rome dhe egjiptiane.
Në oborrin e përbashkët, disa burra janë përkulur mbi një qingj të bërë kurban për ditën e Shën Gjergjit, të cilin po e vënë në një peshore dhe po e ndajnë për drekën e festës. “Bujrum” na thonë burrat , ndërsa e harrojnë kurbanin dhe flasin të gjithë njëherësh me zemërim kur i pyet për zgjedhjet.
“Çfarë politike thu ti? Ata mendojnë vetëm për vete, për ne nuk ndryshon asnjë gjë,” thotë njëri prej tyre. “Po socialistët na dhanë këto kazermat, po s’po na lënë rehat, na e kujtojnë përditë që nuk është shtëpia jonë,” shton shoku i tij.
Një grua afrohet dhe nis të rreshtojë ankesat e saj për banesën e ngushtë ku jetojnë 10 veta dhe nëna e sëmurë, për të cilën shteti nuk i ka lidhur asnjë pension.
“Unë për asnjë nuk shkoj të votoj, as me lekë as pa lekë,” thotë ajo dukshëm e revoltuar.
Ëngjëllushja këmbëngul që të hyjmë në banesën e saj dhe të shohim nënën e paralizuar. Në fund të krevatit qëndrojnë panolinat, çmimi i të cilave është një barrë e madhe për financat e saj. “Të gjitha vetë i blejmë se shteti s’na ndihmon, nuk i japin një pension,” ankohet gruaja.
Banorët e këtij komuniteti ankohen për shqetësimin e vazhdueshëm të shërbimeve sociale të bashkisë për pastrimin e territorit ku banojnë. Në fakt, hapësira boshe mes këtyre kabinave është e mbushur me hekurishte e thasë të mëdhenj me shishe plastike apo kanaçe.
Shitja e tyre për riciklim është një biznes me të cilin ky komunitet është mësuar që të sigurojë jetesën, por puna e tyre është bllokuar prej kohës kur Bashkia e Tiranës u përfshi në biznesin e riciklimit dhe më pas nga koncesioni i inceneratorit.
Gjithsesi, Edi, 28 vjeç, vijon të mbledhë hekura të vjetra nëpër qytet me triçiklin e tij për të mbajtur familjen dhe pse kujton me nostalgji për kohën e ‘Berishës’. “Punonim më lirshëm atëherë, këta s’na lënë rehat,” ankohet ai.
Dëshira e Edit është që shteti të mos ndërhyjë në jetën e tij dhe të komunitetit. “Ishim më mirë në kasolle se sa tani që na bëjnë presion përditë e na e thonë ‘nuk është shpia jote,” thotë ai i revoltuar, por vë në dukje se “për votime na kanë lënë rehat”.
Përfaqësimi politik

Në listat e forcave politike garojnë pak kandidatë nga komuniteti rom dhe egjiptian, por edhe ata janë renditur në listat e hapura ku është gati e pamundur që të fitojnë një përfaqësim në Kuvend.
Rivelino Çuno, kryetar i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë (PEISH) është kandidat i koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Sipas Dungajt, Çuno ka bërë takimin e vetëm elektoral në lagjen e banesave sociale, ku ka pasur dhe një incident me një banor që ka prishur takimin.
“Ishte një i mazhorancës që e priti keq,” thotë ai, duke iu referuar banorëve që nuk i përkasin këtij komuniteti në lagjen sociale.
Dungaj thotë se i vlerëson kandidatët e këtij komuniteti pa marrë parasysh se në cilën forcë politike kandidojnë, por është skeptik për mundësitë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje në mënyrë që të bëjnë diçka për komunitetin të cilit i përkasin.
Çuno iu përgjith pyetjeve të BIRN-it me shkrim, duke e përkufizuar arsyen e përfshirjes në politikë si të rëndëdishme për të.
“Zëri i komunitetit egjiptian dhe rom nuk ka më luksin të përfaqësohet nga njerëz që flasin ‘në emër të tyre’, por nuk jetojnë asnjë ditë brenda tyre,” thotë ai, duke shtuar se pasi ka përjetuar çdo formë përjashtimi, heshtjeje, shfrytëzimi dhe premtimi të pambajtur ka vendosur të mos jetë me ‘spektator’.
Ai beson se koalicioni opozitar ka hapur dyet për një përfaqësim real, jo dekorativ.
“Në këtë aleancë, ne si PEISH kemi ruajtur identitetin tonë dhe jemi aleatë, jo shtojcë”- thotë ai. Problematikat që Çuno shpreson të zgjidhë me përfaqësimin e tij politikë janë të njëjta me ato që ka dhe komuniteti rom-egjiptian në Shkozë; strehim, arsimim dhe integrim, ndërsa politikat qeveritare të dekadës së fundit i konsideron jo thelbësore dhe larg nevoja reale të komunitetit.
“Për komunitetin tonë, ka pasur vetëm raporte për donatorët, projekte të papërputhshme me nevojat tona reale dhe klientelizëm lokal që ka kapur çdo fond në emër të ndihmës,” thotë ai ndërsa rreshton një sërë premtimesh për komunitetin e tij.
Një tjetër kandidate u bë virale në fushatë për shkak të përkatësisë së saj nga ky komunitet. Ina Majko kandidon për Partinë Socialiste në qarkun Vlorë dhe kryeministri Rama premtoi publikisht që ajo do të jetë pjesë e qeverisjes, nëse kjo parti fiton mandatin e saj të katërt në 11 maj.
E diplomuar për Biologji, Majko i ka kushtuar energji karrierës si moderatore dhe blogere në rrjetet sociale para se të hynte në politikë. Majko u justifikua me impenjimin në fushatë për pamundësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi angazhimin e saj politik dhe qëndrimin e forcës politike me komunitetin që ajo përfaqëson.