Wed, May 7, 2025

Pas buzëqeshjes në Met Gala, Bebe Rexha rrëfen dhimbjen që s’e pa askush

  • PublishedMay 7, 2025

Pas buzëqeshjes në Met Gala, Bebe Rexha rrëfen dhimbjen që s’e pa askush

Bebe Rexha ka ndarë një përditësim personal dhe emocional, pasi u përball me kritika mbi pamjen e saj gjatë paraqitjes në Met Gala 2025. Këngëtarja e nominuar për Grammy reagoi përmes një postimi në X (ish-Twitter), i cili më pas u fshi, duke u shprehur:

“Jam shumë e lodhur nga komentet për peshën time. Kam PCOS dhe përballem me infertilitet. Mbeta shtatzënë, dhe nuk funksionoi. E kam mbajtur këtë dhimbje në heshtje,” shkroi ajo. “Nuk i detyrohem askujt të vërtetën time, por ndoshta do t’ju bëjë të mendoni dy herë përpara se të komentoni trupin e dikujt.”

Artistja e hitit “In the Name of Love”, e cila bëri debutimin e saj në Met Gala më 5 maj me një veshje të Christian Siriano, iu përgjigj gjithashtu komenteve të Azealia Banks në X, përpara se të mbyllte reagimin e saj me një mesazh për ndjekësit:

“Tani do të vazhdoj ditën time. Ju dua, kalofshi bukur.”

Rexha ka qenë e hapur ndër vite për betejën me sindromën e vezores policistike (PCOS), një çrregullim hormonal që ndikon në funksionin e vezoreve te gratë. Në maj 2024, ajo rrëfeu në TikTok se ishte përballur me një dhimbje të fortë që e çoi në urgjencë:

“Mjeku mendoi se ishte apandesit, por në fakt ishte një kist që kishte shpërthyer. Më vinte për të vjellë nga dhimbja. E vetmja gjë që më ndihmoi ishte një jastëk ngrohës,” shtoi ajo, duke u dhënë një këshillë të vlefshme edhe vajzave që përballen me të njëjtin problem.

Pavarësisht vështirësive shëndetësore dhe kritikave në rrjete sociale, këngëtarja nga New York-u përpiqet të ruajë një qëndrim pozitiv:

“E di që kam shtuar peshë. Njerëzit kalojnë nëpër ndryshime,” shkroi ajo në Instagram në qershor 2023.

“Nuk do të gënjej, më mërzit kur lexoj disa komente, por kjo vjen me këtë profesion. Po mësoj të mos e gjykoj veten dhe të pranoj veten, ndërsa përpiqem të bëj zgjedhje më të shëndetshme. Ajo që kam mësuar është se nuk të përcaktojnë numrat, por zemra jote.”