Wed, May 7, 2025

Rama në Fushë Krujë: PS vjen tek ju me kokën lart, na jepni besim që të bëjmë më të mirën për 4 vitet e ardhshme

  • PublishedMay 7, 2025

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmbylli këtë të mërkurë fushatën elektorale në Fushë Krujë, ku iu drejtua qytetarëve me thirrjen për të mbështetur PS-në në zgjedhjet e së dielës, më 11 maj. Në fjalimin e tij, Rama theksoi se në këtë qytet vijnë me ndjenjën e krenarisë, pas një mandati gjatë të cilit, sipas tij, janë realizuar shumë punë konkrete.

“Pas katër vitesh kthehemi këtu me kokën lart, duke pasur arritur një sërë objektivash gjatë këtij mandati. E nisëm me përkushtimin për të ndihmuar familjet që u prekën nga tërmeti i rëndë, të cilat mbetën pa strehë brenda pak sekondash. Sot kemi përmbyllur procesin e rindërtimit, duke shpërndarë 350 apartamentet e fundit, të cilat u mbajtën në pritje për shkak të rregullave të fushatës. Menjëherë pas zgjedhjeve, në Krujë do të ndahen shtëpitë e fundit, duke e çuar totalin në 1100 banesa të reja, të dhëna falas për qytetarët që tani janë pronarë të ligjshëm dhe pa asnjë detyrim financiar ndaj shtetit,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se edhe pse fatkeqësitë natyrore nuk mund të parandalohen, përgjigjja ndaj tyre duhet të jetë dinjitoze dhe e përgjegjshme. Rama përmendi ndërtimin e 17 shkollave të reja në këtë zonë si një tjetër arritje që, sipas tij, tregon përkushtimin e PS-së ndaj komunitetit.

Sa i përket infrastrukturës, ai theksoi se ëndrra e kahershme për të pasur një lidhje rrugore direkt mes Krujës dhe Tiranës tashmë është përfshirë në programin e qeverisë. Gjithashtu, ai premtoi se edhe rruga që lidh Fushë Krujën me Krujën do të përmirësohet në një afat të arsyeshëm kohor.


AlbaniaWeb.net