Konferenca Ndërkombëtare/ Universiteti “Luarasi”, qendër e rëndësishme akademike. Presidentja Fabiola Hysenbelliu: Të përkushtuar ndaj dijes!
Akademikë, përfaqësues të Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Posaçme, Avokatit të Popullit morën pjesën në konferencën shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti “Luarasi” me temë “Drejtësia, siguria dhe të drejtat e njeriut”. Pjesëmarrësit në konferencë ndoqën referime nga 142 referues të kësaj konference, në fusha të ndryshme të së drejtës.
Presidentja e Universitetit “Luarasi”, znj.Fabiola Hysenbelliu në fjalën e saj theksoi rëndësinë e kësaj konference si një shembull i përkushtimit të institucionit ndaj dijes dhe kërkimit shkencor dhe garantoi mbështetjen e saj për çdo nismë që i shërben thellimit të dijeve.
“Në cilësinë e Presidentes së Universitetit “Luarasi” kam mbështetur dhe do të mbështes çdo lloj nisme që synon kërkimin shkencor në fakultetet e Universitetit Luarasi për vlerat dhe rëndësinë që mbart. Kjo pasi ajo i shërben thellimit të dijeve për stafin akademik apo edhe për kërkuesit e rinj shkencor. Për pasojë do të kemi realisht një përmirësim të nivelit shkencor të këtij stafi dhe një zhvillim të një prej shtyllave kryesore të funksionimit të vetë Universitetit e cila ka të bëjë me kërkimin shkencor”, u shpreh Hysenbelliu.
Sipas Rektorit të Universitetit Luarasi, Prof. Dr. Et’hem Ruka, pa drejtësi nuk ka shtet dhe baraza para ligjit, ndaj ai bëri thirrje që universitetet të nxjerrin studentë të zot që ta duan drejtësinë dhe jo ta shohin atë si një mjet pasurimi.
“Pa drejtësi nuk ka shtet, nuk ka barazi para ligjit. Problemet janë reale, por ajo që kemi arritur është një produkt që na bën krenarë. Kur bëhemi bashkë, fuqia jonë shkencore dhe debati mund të nxjerrë produkte më të mira”, theksoi ai.
Admir Belishta, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luarasi”, ka deklaruar se kjo është konferencA më e madhe e organizuar nga ky universitet që nga themelimi i tij.
“Kjo konferencë po zhvillohet në bashkëpunim me 16 universiteteve nga rajoni dhe vendet e BE”, shtoi Belishta.
Pjesë e konferencës ishte edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
“Dua të përgëzoj zotin dhe zonjën Hysenbelliu për këtë aktivitet. Kisha përgatitur një fjalim të një natyre tjetër duke menduar se do të kishte më shumë studentë.
Mendimin tim ia kisha vënë faktit se doja të tregoja çfarë ndryshimi ka zbatimi i të drejtave të njeriut nga koha kur unë jam laureuar në shekullin e kaluar e deri më sot. Përfitoj nga rasti të tërheq vëmendjen në një element bashkëkohor të Kushtetutës, dokumentit më të rëndësishëm të shtetit tonë. Është shumë e rëndësishme Human Right Aproach. Çdo politikë sociale e jo vetëm duhet të bazohen në të drejta. Që në preambulën e Kushtetutës ka qenë pikërisht kjo. Shprehimisht thuhet: Me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, në zbatim të së drejtave të njeriut. Qëllimi për të cilin do të ndërtohet ky shtet i të drejtave është pikërisht zbatimi i këtyre të drejtave”, tha Ballanca.
Të pranishëm në punimet e konferencës ishin edhe Dekania e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Dorina Hoxha, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro si dhe përfaqësues të Fakultetit të Drejtësisë të Kosovës.
Në sesionin e dytë të konferencës ndërkombëtare “Drejtësia, Siguria dhe të drejtat e njeriut” studentët ndoqën diskutimet e zhvilluara në cdo auditor të Universitetit “LUARASI” me temë “E drejta Penale” ku profesorë diskutuan rëndësinë juridike të një shteti.
()