“Finalja e vogël” luhet pa objektiva, Dinamo e Partizani për “medaljen e bronzit”
Partizani dhe Dinamo do të jetë finalja e vogël e këtij sezoni, që do të vendos përfundimisht se cilat do të jenë skuadrat e pozicionuara në vendet 3 dhe 4. Sfida që do të zhvillohet të shtunën në “Elbasan Arena”, mes dy skuadrave kryeqytetasve në fakt nuk do të shërbejë për gjë tjetër veçse për përcaktimin e renditjes përfundimtare, kjo pasi si Dinamo po ashtu edhe Partizani e kanë siguruar pjesëmarrjen në Conference League për sezonin e ardhshëm. Kjo për shkak të sigurimit të Final 4 në kampionat si dhe të të marrjes pjesë edhe në 4 skuadrat më të mira që garuan më pas për Kupën e Shqipërisë.
Për të dytin sezon radhazi kjo sfidë nuk do të luhet për ndonnjë objektiv konkret për asnjërën skuadër, ç’ka me shumë gjasa mund të shtyjë dy teknikët Gega dhe Daja të aktivizojnë lojtarët që gjatë këtij sezoni kanë patur më pak minuta në fushën e blertë.
Dinamo vjen si fituese e Kupës së Shqipërisë, pas triumfit ndaj Egnatias dhe pas eleminimit nga gjysmëfinalja e kampionatit ndaj Vllaznisë. Një sezon që gjithsesi mund të konsiderohet pozitiv për “nëndetësen”. Sigurisht fitimi i titullit do të ishte “qershia mbi tortë”, por gjithsesi dinamovitët vërtetuan se këtë sezon ishin një prej skuadrave më kualitative.
Në krahun tjetër Partizani pagoi largimet e lojtarëve titullarë në merakton e Janarit duke dobësuar cilësisht skuadrën. Ardhje e teknikut Skënder Gega, risolli entuziasmin tek “Demat” megjithatë skuadra kryeqytetasi siguroi me vështirësi Final 4 vetëm në javën e fundit përballë Elbasanit, ndërsa në gjysmëfinale nuk shkoi më shumë se sa barazimi me kampionët në fuqi të Egnatias.
Gjatë sfidave direkte këtë sezon mes Partizanit e Dinamos ka patur ekulibër të plotë, me të dyja ekipet që kanë fituar nga 1 herë, ndërsa dy përballje janë mbyllur në barazim.