Fri, May 9, 2025

Në Sarandë, qytetarët e kërkojnë ndryshimin politik tek të rinjtë

  • PublishedMay 9, 2025
Në Sarandë, qytetarët e kërkojnë ndryshimin politik tek të rinjtë

Moti është plot diell mëngjesin e së premtes së 2 majit në qytetin e Sarandës dhe në plazhin e Limanit, shumë njerëz janë duke marrë rreze. Tek-tuk në të rrallë, dikush guxon dhe zhytet në ujërat e Jonit. Në Sarandë, posterat e kandidatëve për konkurrojnë në përmasa me njëri-tjetrin dhe e bëjnë të dukshme atmosferën zgjedhore në qytetin që e bazon ekonominë te turizmi.

, një i moshuar që po ecën përkrah së shoqes në shëtitore, nuk i beson premtimet elektorale, por ai beson te votimi si një detyrë e rëndësishme.

“Programet pak a shumë aty-aty janë, janë më shumë si punë demagogjie, gënjeshtra pak a shumë. Por, duhet të votosh, të mbash qëndrim qytetar,” thotë Haxhi. “Sidoqoftë njëri është më i mirë se tjetri,” shton ai, duke e quajtur bojkotin të gabuar.

Në qendër të Sarandës, një bordurë anës trotuarit përdoret nga një djalë i ri si vitrinë për produktet që ai shet. Djali i shmanget një komenti për fushatën dhe disa burra aty pranë thonë se mund të kishte pasoja nëse fliste, pasi mund të mos e lejonin më të shiste në trotuar.

Pak metra më tutje, dy punëtorë sezonalë janë në pritje se mos u del ndonjë punë në të zezë. Kur i pyesim për fushatën zgjedhore, ata ankohen për partinë në pushtet dhe kërkojnë ndryshim.

“Rrotacioni është shumë i nevojshëm se nuk shtyhet më me këta. Kjo vajti 12 vjet,” thotë njëri prej tyre, ndërsa shoku miraton me lëvizje të kokës.
“Çdo gjë duhet të ecë me të rinjtë, jo këta të vjetrit. Partitë e reja duhet t’i provojmë duke i votuar. Kemi kaluar sikur jemi në enverizëm,” shtoi ai.

Një tjetër qytetar thotë se ka votuar vetëm dy herë, në vitin 1992 dhe në vitin 2005; këtë të fundit një kandidat të Partisë Socialiste pasi “ishte i ri”. Edhe pse kërkon që partitë kryesore të nxjerrin të rinj të besueshëm, burri nuk bindet nga partitë e reja dhe anon nga vazhdimi i bojkotit.

Një i moshuar, që identifikohet si Ladi Ceno nga Delvina, edhe pse shpreh dëshirën për ndryshim, thotë se do të votojë partinë në pushtet.

“Do votoj për Ardit Bidon dhe Partinë Socialiste. Kaq! E kam ndarë mendjen,” thotë Ceno.

“Me atë të parin që ishte kemi ngrënë pataten, shqip… me Berishën”, shton ai, duke theksuar se do kishte dashur të votonte për ndryshim, por nuk mund ta votonte Partinë Demokratike “sa të jetë ”. Ai është gjithashtu mosbesues ndaj partive të reja, pasi ‘nuk kanë dhënë asnjë provë’.

Shëtitorja e Sarandës të premten më 2 maj. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kandidati socialist i preferuar i Cenos, , ish-drejtor i Arkivave dhe pedagog në degën e Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare mendon se qytetarëve në këto zgjedhje u është dhënë mundësia që të orientojnë politikën e së nesërmes.Sipas Bidos, brenda Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës janë 12 kandidatë në listat e hapura, prej nga pritet që katër deri pesë prej tyre të dalin deputetë.

“Nëse qytetarët do të vendosin në masë me votën e tyre se politika e tyre nesër do të jetë modeli i biznesmenit, do të thotë që Shqipëria nesër do të duhet të orientohet tek modeli i biznesmenit; nëse duan që të çojnë modelin e asaj që unë quaj ‘xhaketa të vjetra’, do të thotë që duan që Shqipëria nesër të orientohet drejt atij modeli,” tha Bido.

“…duhet të jenë të qartë në modelin që duan që të jetë politika nesër, jo thjesht për ne sot, po për vajzën time 9-vjeçare,” tha më tej ai, duke shtuar se ai vetë ofron modelin e drejtuesit të një institucioni që nuk ka shkelur ndonjëherë në SPAK (përveçse për t’i ndihmuar me arkivin), ka shmangur sekserët dhe ka dhënë produkt.

Në Sarandë ka dhe nga ata qytetarë që ditën e votimeve e cilësojnë si një festë, pasi garat elektorale sjellin gjithsesi ndryshim, kryhet ndonjë punë apo rriten pagat e pensionet.

“Saranda e pret këtë ditën e votimeve si ditë feste. Partitë që punojnë më mirë, vënë në dukje të metat e njëri-tjetrit dhe kështu puna ecën përpara…,” tha burri rreth të 60-ave, duke shpresuar për zgjedhje të ndershme dhe pa manipulime në të gjithë republikën.

Kandidati i , , një stomatolog i lindur dhe i rritur në Sarandë thotë si i është bashkuar Lëvizjes prej dy vitesh, duke marrë pjesë në protestat e përjavshme kundër korrupsionit dhe padrejtësive.

Ai vlerëson se marrëdhëniet sociale janë përkeqësuar gjatë kësaj fushate, pasi njerëzit që militojnë për njërin krah politik, ndjehen si të shkëputur ose nuk duan të kenë marrëdhënie me ata që militojnë për një forcë tjetër politike.

“Unë si kandidat i një partie të re kam ndjerë edhe presion, edhe intimidimin kur bëjmë takimet. Është një klimë për mendimin tim jo e mirë. E shikoj tek njerëzit që takoj… dikush thotë lëre se s’dua të merrem, dikush thotë jam në punë. Ka nga ata që thonë o vëlla, mos na ngatërro,” thotë Gjicali.

Edhe me karrierë në sektorin bankar, i cili kandidon për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, thotë se të gjithë punonjësit e administratës kanë një fobi të brendshme, kur takohen nga kandidatët e partive të reja.

“Kanë frikë se mos i shikojnë në aktivitete. Më shumë është një frikë e mbartur nga vitet dhe nga presionet e mëparshme, kanë frikë bizneset nga pjesa tatimore, është bërë si një fobi që po dola, po më pa, mund dhe të ndëshkohem,” thotë Dajko, ndërsa shton se nuk ka vënë re presione të drejtpërdrejta sepse “njerëzit janë të rezervuar”.

Për kandidatin e Partisë “Mundësia”, , fushata ka qenë e qetë, pa incidente e tensione dhe e përqendruar te idetë.

Kandidati i Partisë Socialiste, Ardit Bido i hedh poshtë pretendimet për përfshirjen e administratës në fushatë dhe i cilëson ato si justifikim për humbjen e pritshme.

“Unë jam kandidat i Partisë Socialiste. Po më kanë gjetur mua ndonjëherë me administratën në krah, le ta thotë kushdo,” tha Bido ndërsa shtoi: Nuk e shoh që administrata të jetë me mua”.

Ladi Ceno nga qyteti i Delvinës. Foto: Edmond Hoxhaj.
Kandidati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Vasil Dajko. Foto: Edmond Hoxhaj.