Ekipi i Lively kundër Justin Baldoni: Kjo është një çështje ligjore, jo një shfaqje
Përfaqësuesit e aktores Blake Lively kanë reaguar ashpër ndaj ekipit ligjor të Justin Baldoni, pasi ky i fundit propozoi që dëshmia e saj në çështjen ligjore për ngacmim seksual dhe hakmarrje të mbahet në një arenë si Madison Square Garden dhe të transmetohet “live”, me të ardhurat për bamirësi.
Në deklaratën e tyre, ata e quajnë këtë sjellje një përpjekje për ta kthyer një rast serioz në “argëtim për tabloidet”, dhe kritikojnë edhe thirrjen në gjyq të Taylor Swift, e cila nuk ka qenë e përfshirë në krijimin e filmit It Ends With Us, përveç lejimit të një kënge të saj për soundtrack.
“Kjo nuk është Barnum & Bailey’s Circus,” thuhet në reagim. “Këto veprime janë një përpjekje për të frikësuar dhe turpëruar gratë publikisht, ndërkohë që synohet të hidhet poshtë një ligj që mbron viktimat në Kaliforni.”
Taylor Swift, mikeshë e ngushtë e Lively, u thirr si dëshmitare më 9 maj, por përfaqësuesit e saj theksuan se ajo nuk ka qenë asnjëherë pjesë e prodhimit të filmit dhe nuk ka marrë pjesë në vendime kreative apo xhirime.
Reagimi i ekipit të Lively vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së avokatit të Baldoni, i cili tha: “Nëse zonja Lively është e gatshme të dëshmojë, ta bëjmë me vlerë – të shesim bileta apo ta transmetojmë, dhe çdo fitim t’i jepet viktimave të dhunës në familje.”