““Tak Fak” është bërë zëri i halleve të popullit”, moderatorët Devis Muka dhe Dorian Ramaliu tregojnë si fitoi zemrat e publikut emisioni
Devis Muka dhe Dorian Ramaliu, moderatorët e emisionit investigativ në News24, “Tak Fak”, ishin sot në studion e “Kjo Javë” me Nisida Tufën.
Ata kanë rrëfyer se janë shumë të kënaqur me ecurinë e emisionit, ndërsa tregohen mirënjohës për të gjithë dashurinë e marrë nga publiku.
Dorian Ramaliu: Emisioni ka ecur shumë mirë dhe ka qenë përtej pritshmërive tona. Doja të falenderoja shumë publikun i cili na ka mbështetur në çdo hap tonin si në fillimin e karrierës, por edhe në këtë moment. Ka pasur raste pafund dhe telefonata që në momentin kur ka dalë spoti.
Devis Muka: Tak Fak pati një shpërthim, dhe nuk e di pse ka ndodhur, nëse ishte meritë e tritolit tonë apo televizionit, por shpërtheu. Reagimi në publik ka qenë një festë e madhe dhe ne e kemi parë kudo, në emision ose rrugë. “Tak Fak” po lakohet gjithmonë e më shumë. Kjo është një meritë e të gjithë stafit i cili punon shumë dhe ka sjellë këtë rezultat. Guximi ka qenë shumë i madh, dhe emisionet investigative i shkojnë popullit tek dera për denoncimet ose problemet.
Dyshja kanë treguar edhe mënyrën se si bëhet përzgjedhja e tematikave që trajtohet.
Sipas tyre synohen të trajtohen tematikat që kanë një ndjeshmëri më të madhe për publikun, por sigurisht që nuk lihen pas dore edhe problemet që janë shqetësuese për qytetarët.
Dorian Ramaliu: Që kur doli spoti kishte telefonata dhe hallet e shqetësimet e para, pa fund. Nuk është e thjeshtë përzgjedhja e rasteve, dhe meritë e ka Dritani. Ne punojmë të gjithë me njëri-tjetrin dhe konsultohemi me njëri-tjetrin për gjithçka. Është një punë kolektive dhe deri diku kemi nuhatjen se cila do jetë çështja që duhet ndjekur. Ne jemi marrë edhe me çështjet më të vogla për publikun, por për banorët e zonës është problem. Ne jemi mundur t’i prekim të gjithë nga pak.
Devis Muka: Fluksi ka qenë shumë i madh, emisionet investigative kanë fluks të madh hallesh e problematikash. Është shumë e vështirë përzgjedhja. Ne jemi munduar që dy fishekët që kemi në javë të godasim tek hallet konkrete dhe të prekshme. Jo se i kemi lënë pas dorë problematikat e tjera. Kemi pasur problematika me tenderat dhe ministrat. Jemi mundur që në këtë valle hallesh të kërcejnë të gjithë edhe ai që ka edhe problemin më të vogël.
Devis Muka: Populli gjithashtu ka bërë pyetje për emisionin se kur mund të trajtojmë një rast kurrupsioni në lidhje me një ministër. Unë mund të them se deri tani vigjilenca është shumë e madhe dhe ato mund të ruhen se çfarë mund të thonë. SPAK e ka bërë punën e tij. Gjithashtu mund të duhet një njeri i brendshëm ose një person që mund ta kenë shkelur.
Dorian Ramaliu: Mund të themi se tema të tilla në lidhje me korrupsionin kanë kohën e tyre për t’u investiguar pasi nuk mund të abuzosh me detyrën dhe duhen zgjedhur faktet e vërteta.
Devi Muka: Investigimi duhet të bazohet tek provat dhe faktet dhe emisioni jonë nuk mund të hedhë baltë mbi asnjë person nuk është emision fletërrufe.
Dorian Ramaliu: Unë konkurrencën e shikoj si fat, sepse mua si Devi më jep energji për të parë dhe për të gjetur tema. Kjo është një garë pa finish, e cila ka vetëm startin.
Devis Muka: Gjithashtu për mua edhe konkurrenca është një motivim, dhe nuk më bën përshtypje, pasi gjithsecili ka pjesën e tij dhe në fund është publiku që vendos në fund. Gjëja më e rëndësishme për motivimin është familja.
()