Mbyllet procesi i votimit: Çfarë ndodh tani?

Procedura ligjore parashikon që me votimin e votuesit të fundit që pret në radhë para qendrës së votimit edhe pas orarit zyrtar 19:00 të mbylljes së procesit, kutitë e votimit transportohen në masa sigurie në Vendet e Numërimit të Votave, ambjente të caktuara me vendim të KQZ-së pranë qendrave të votimit.
Numërimi i votave bëhet në mënyrë të përqëndruar në VNV-të jo më vonë se 40 ditë nga data e zgjedhjeve. Në përzgjedhjen e vendit të VNV-ve i jepet përparësi lehtësive logjistike të transportit rrugor, distancës nga qendrat e votimit dhe hapësirave të objekteve.
Numri i vendeve të numërimit në në rang vendi është 93.
Kodi Zgjedhor ka parashikuar në mënyrë të detajuar se si funksionon procesi i numërimit të votave e procedurën e nxjerrjes së rezultateve nga anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave, si dhe mbikqyrjen e procesit nga partitë politike dhe vëzhguesit e pavarur.
Pas numërimit të çdo kutie votimi rezultatet hidhen në një tabelë e cila i dërgohet dorazi Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), i cili e dërgon menjëherë në mënyrë elektronike në KQZ si “rezultat paraprak”.
Numërimi i votave nxjerr dy tabela rezultatesh, votat për 11 subjektet zgjedhore që marrin pjesë në këto zgjedhje dhe numrin e votave për kandidatët e tyre në listat e hapura.
Vetëm një numër i caktuar qendrash përdorën Votimin Elektronik, në njësinë Administrative nr.10, Tiranë dhe në Bashkinë Vorë, ndërsa përdorimi i këtij modeli votimi në 3 bashki të ndryshme në zgjedhjet vendore të majit 2023 solli problematika dhe vonoi procesit e votimit.