Shqipëria voton me sytë nga diaspora dhe partitë e reja

Të dielën në mengjes qendrat e votimit u hapën anembanë vendit, ndërsa qytetarët shqiptarë pritet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Në garë për 140 ulëset e Kuvendit janë 2046 kandidatë, nga të cilët 1259 burra (61.53%) dhe 787 gra (38.47%) në listat e 11 subjekteve zgjedhore që garojnë në këto zgjedhje.
Lista zyrtare e zgjedhësve numëron mbi 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote e ndarë në dy lista zgjedhësish, me banim brenda territorit të Shqipërisë dhe votues që jetojnë jashtë vendit.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve do të kenë mundësinë të votojnë emigrantët dhe në lista e votuesve të Diasporës janë regjistruar 246 mijë persona të cilët kanë nisur votimin me postë disa javë përpara 11 majit.
Vota e emigrantëve pritet të ndikojë në ndarjen e mandateve në 12 qarqet e vendit.
Fushatës zgjedhore i parapriu një pakt mes dy partive kryesore në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor ku listat e kandidatëve për deputetë u ndanë në të mbyllura dhe të hapura, ku në pjesën e mbyllur kryetarët e partive kishin të drejtë të caktonin shumicën e deputetëve të ardhshëm ndërsa në listat e hapura të tjerët garojnë për vota nominale për të fituar mandat deputeti. Në bazë të kësaj llogaritje dhe fushata elektorale u mbiztorërua nga kandidatët e listave të hapura.
Në garën e së dielës Partia Socialiste në pushtet garon për një mandat të katërt qeverisës mes skandaleve të njëpasnjëshme të korrupsionit dhe me disa zyrtarë të lartë të arrestuar apo të dënuar për korrupsion. Gjithsesi kryeministri Edi Rama ofroi si premtim kryesor ‘pasaportën europiane’, që nënkupton sipas tij anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Europian, parashikim që shihet si joerealist nga ish-kryenegociatori me BE-në, diplomati Zef Mazi.
Rama e nisi fushatën në takime me gratë socialiste nëpër qarqe të ndryshme ku deklaratat e tij fyese referuar burrave krijuan debat publik. Po ashtu ai përdori gjuhë fyese ndaj kundërshtarëve të tij politikë duke e krahasuar opozitën me ‘kënetën’ dhe kryetarin e saj me një ‘buf’.
Lista e opozitës që kërkon të rimarrë pushtetin përbëhet në fakt nga një koalicion partish nën drejtimin e Partisë Demokratike të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjithashtu i akuzuar për korrupsion dhe Partisë së Lirisë së ish-presidentit Ilir Meta, i cili është në burg i akuzuar për një aferë korruptive në kohën kur ishte zëvendëskryeministër i qeverisë së drejtuar nga Berisha.
Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” i drejtuar nga Berisha mori emrin nga lëvizja MAGA e presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht se kreu i tij është i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë qeverisjes së presidentit Biden.
Fushata elektorale ka qenë përgjithësisht e qetë dhe pa incidente domethënëse. Megjithatë, opozita është ankuar për një fushatë të pabarabartë, përdorim të burimeve publike dhe presion të administratës nga pala në pushtet për të ndikuar votën.
Mbulimi mediatik në mediat audiovizie dhe ato online është dominuar dy liderët kryesorë – Edi Rama dhe Sali Berisha. Ndërkohë, komunikimi politik në mediat sociale është fokusuar në platformat Facebook dhe Instagram.
Partitë e reja, që garojnë jashtë këtyre dy poleve që kanë dominuar skenën politike shqiptare në tre dekadat e fundit, shihen si mundësi për të thithur elektoratin gri të pavendosur dhe për të ndryshuar tablonë politike të parlamentit.
Në garë janë Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, koalicioni euroatlantik i Lulzim Bashës, ‘Mundësia’ e Agron Shehajt, Shqipëria Bëhet drejtuar nga Adriatik Lapaj, Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” e deputetëve Dashamir Shehi e Enkelejd Alibeaj, Aleanca Kombëtare Shqiptare e Elena Kocaqit dhe Aleanca Demokracia e Re e Edmond Stojkut.