Abuzimi me burimet shtetërore dhe mungesa e medias së pavarur krijuan garë të pabarabartë, thotë OSBE/ODIHR

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR deklaroi të hënën në gjetjet paraprake se gara zgjedhore në Shqipëri ishte “e pabarabartë” për shkak të “keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet” si dhe nga mungesa e medias së pavarur, e cila nuk siguroi që votuesit të ishin të mirëinformuar mbi zgjedhjen që bënë.
“Ndërsa zgjedhjet u menaxhuan mirë, dëshmitarët afatgjatë dëshmuan frikësim masiv dhe abuzim të burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale,” deklaroi ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit.
Raporti shënon një kthesë të fortë në gjetjet e misioneve të vrojtimit të zgjedhjeve të shkuara, ku zakonisht vëzhguesit janë mjaftuar duke vënë në dukje se problemet “janë raportuar”, ndërsa në këtë rast, ata vënë në dukje se ata vetë “i kanë dëshmuar” rastet e frikësimit të votuesve dhe abuzimit të burimeve shtetërore.
“Zgjedhjet u shënuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve publike dhe fuqive institucionale të partisë në pushtet ndërsa raportime të shumta mbi presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit e tjerë si dhe rastet e frikësimit [të votuesve] ishin shqetësuese,” thuhet në deklaratë.
Duke folur jashtë tekstit të deklaratës së shkurtër, Farah Karimi, koordinatorja e vëzhguesve afatshkurtër theksoi shqetësimet mbi median dhe po kështu, ambasadori Zannier vuri theksin se monitorimi i medias shqiptare prej tyre zbuloi përdorimin masiv të materialeve të gatshme, si dhe faktin që informacioni i ofruar nga Autoriteti i Medias Audiovizive “nuk ishte i përdorshëm” dhe se kjo ngre pikëpyetje mbi “pavarësinë e AMA-s”.
Raporti theksoi se rastet e abuzimit me burimet shtetërore “u mbajtën shënim” dhe se kjo është “e papërputhshme me standardet ndërkombëtare”.
“Garuesit në përgjithësi ishin të lirë të kryenin fushatën e vet por fusha e lojës ishte e pabarabartë,” thuhet në raport. “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjithëpërhapur i burimeve administrative dhe mekanizmave institucionalë, përfshirë heqjen e gjobave pak para ditës së zgjedhjeve, ndërsa zyrtarët e lartë të qeverisë u angazhuan shumë në një numër aktivitetesh zyrtare që shpesh mbivendoseshin me mesazhet e fushatës,” shkruhet më tej në raport.
“Aludimet për presion mbi punonjësit publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqbërdorimi i rrjeteve të patronazhimit u vërejtjën, gjë që është jo në përputhje me standardet ndërkombëtare,” shkruhet më tej.
Shqiptarët votuan në zgjedhje të dielën, zgjedhje të cilat partia në pushtet i fitoi me shumicë votash dhe me shumicë akoma më të lartë mandatesh.
Kjo është maxhoranca më e madhe e krijuar ndonjëherë në Shqipëri që nga viti 2001, kur zgjedhjet u zhvilluan gjithashtu nga Partia Socialiste dhe të cilat, vëzhguesit ndërkombëtarë i dënuan si të pabarabarta.
Kritika të forta vëzhguesit bënë veçanërisht në drejtim të medias.
“Mjedisi mediatik ishte shumë pengues, me pavarësinë, larmishmërinë dhe integritetin e përmbajtjes së lajmeve të minuar nga financimet jotransparente, përqendrimi i pronësisë, ndërhyrja në autonominë editoriale dhe ndikimi politik,” shkruhet në raport.
Procesi i numërimit nuk ka mbaruar ende por deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, Partia Socialiste duket se ka siguruar rreth 53% të votave dhe rreth 60% të parlamentit.