Mon, May 12, 2025

Shqipëria shkon drejt supermaxhorancës socialiste ndërsa mbi 200 mijë vetë mungojnë

  • PublishedMay 12, 2025
Shqipëria shkon drejt supermaxhorancës socialiste ndërsa mbi 200 mijë vetë mungojnë

Partia Socialiste e Shqipërisë është rrugës drejt krijimit të maxhorancës më të thellë qeverisëse që vendi ka parë që nga viti 1997 pasi makineria e saj elektorale duket se mposhti opozitën e plakur në disa qarqe duke pothuajse e shpërbërë atë tërësisht. Ndërsa janë numëruar rreth 10% e kutive të numërimit, socialistët kanë fituar nga votat e numëruara rreth 53% në rang kombëtar por janë rrugës drejt fitores me përmbysje në Dibër e ndoshta edhe Lezhë ndërsa kanë mposhtur Koalicionin e Shqipërisë Madhështore në opozitë me rezultat të thellë në Fier, 63 me 25, Elbasan, 60 me 30, Durrës, 62 me 40 e Korçë, 55 me 34.

Këto janë shifra shumë paraprake dhe ka gjasa do të ndryshojnë në orët në vijim por nëse rezultati aktual konfirmohet, socialistët e kryeministrit Edi Rama pritet të fitojnë mbi 80 deputetë, gjë që e bën të lehtë për ta të sigurojnë, në zgjedhje ose përmes blerjeve nga opozita, 84 deputetët që nevojiten për maxhorancën e cilësuar të tre të pestave, një maxhorancë të cilën ata e deklaruan si objektiv disa muaj më parë dhe që i mundëson atyre praktikisht të ndryshojnë rregullat e lojës zgjedhore në mënyrë të njëanshme, duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, siç e bënë në vitin 2020, kur siguruan këtë maxhorancë falë votave të deputetëve të opozitës.

Njëkohësisht me kodin zgjedhor, maxhoranca me tre të pestat i mundëson socialistëve të ndryshojnë Kodin Civil e Kodin Penal të vendit si dhe disa nga ligjet e Reformës në Drejtësi.

Mungojnë votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka siguruar informacion të plotë dhe përfundimtar mbi pjesëmarrjen as 12 orë pas mbylljes së kutive të votimit por informacioni i pjesshëm sugjeron se nga lista e votuesve brenda vendit, në zgjedhjet e së dielës votuan 42.2%. Lista e brendshme përmban 3.47 milionë emra dhe për rrjedhojë, vlerësimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet e së dielës rezulton 1.46 milionë. Në krahasim me katër vjet më parë, kur në vend u hodhën në zgjedhje parlamentare 1.66 milionë vota, rezulton se afro 200 mijë vetë, ose nuk morën pjesë në zgjedhje ose janë larguar nga Shqipëria përgjatë katër viteve të fundit.

Në total, socialistët mund të kenë fituar rreth 770 mijë vota brenda vendit në zgjedhjet e së dielës, shifër kjo fare pak më e lartë në krahasim me atë që fituan në zgjedhjet e vitit 2021, por në kushtet kur pjesëmarrja ka rënë, kjo përkthehet në fitoren e gati 53% të votave në krahasim me 49% të katër viteve më parë.

Rezultati final pritet gjithsesi të varet nga vota e emigrantëve, rreth 200 mijë vota të hedhura me postë, nga të cilat deri tani janë numëruar më pak se 0.8%.

Tre parti të reja mund të hyjnë në parlament

Vota në rang kombëtar jep një tablo shumë të ndryshme nga rezultati paraprak i kryeqytetit. Në Tiranë janë numëruar deri tani 19% e kutive dhe këtu socialistët kanë fituar më pak se 48% ndërsa afro 18% e votave janë hedhur për partitë e vogla. Tre parti të reja, Mundësia e Agron Shehajt, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë janë mbi ose pranë kufirit të votave të nevojshme për të siguruar nga një mandat, ku Shehaj, me 4.91% është në mes të rrugës për një mandat të dytë ndërsa Bashkë me 2.83 është në limite për të fituar një mandat të vetëm.

Krahas socialistëve dhe Shqipërisë Madhështore, Socialdemokratët e Tom Doshit kanë pasur deri tani ecuri të mirë në Shkodër dhe Tiranë ku mund të fitojnë dy mandate në Shkodër dhe një në Tiranë.