Gérard Depardieu shpallet fajtor për ngacmim seksual – mbi 20 akuza e ndjekin
Aktori francez Gérard Depardieu është dënuar me 18 muaj burgim me kusht dhe një gjobë prej mbi 32 mijë dollarësh, pasi u shpall fajtor për sulm seksual ndaj dy grave në sheshxhirim gjatë vitit 2021. Vendimi u dha të martën, më 13 maj, nga një gjykatë në Paris, sipas Reuters dhe Associated Press.
Depardieu, 76 vjeç, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por përmes avokatit të tij ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin dhe mohon çdo akuzë. Gjykata urdhëroi gjithashtu që ai të regjistrohet në listën kombëtare të abuzuesve seksualë.
Ngjarjet lidhen me xhirimet e filmit “Les Volets Verts” në vitin 2022, ku një dekoratore 54-vjeçare dhe një asistente regjisore 34-vjeçare e akuzuan aktorin për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmime seksuale.
Dekoratorja rrëfeu para gjykatës se Depardieu e kishte prekur në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe në gjoks, ndërsa ai qeshte me sjelljen e tij. “Isha e tmerruar,” tha ajo. “Ai po qeshte, dukej si i çmendur.” Edhe asistenteja regjisore dha dëshmi të ngjashme.
Një incident tjetër për të cilin u dha dëshmi në gjykatë përshkruan momentin kur aktori e kapi dekoratoren nga ijet në një korridor të ngushtë dhe filloi ta prekte në mënyrë të papërshtatshme nga pas. Vetë Depardieu e justifikoi veprimin si përpjekje për të mos e lënë të rrëzohej, por dëshmitarët thonë se nuk e lëshoi derisa ndërhyri një punonjës tjetër.
Ky nuk është rasti i vetëm ku aktori i njohur është përballur me akuza. Më shumë se 20 denoncime për sjellje të papërshtatshme seksuale janë bërë ndaj tij ndër vite, sipas The Hollywood Reporter.