Bintsuka i ikur dhe Eleke në dyshim, sulmi i Partizanit drejt boshatisjes
Sulmi i Partizanit nuk do të jetë më i njëjti, madje duhet ribërë. Gjatë këtij sezoni, ky repart pa t’i largohen dy liderë si Tedi Cara dhe Kristian Mba në janar, dy lojtarë, që kishin mbajtur peshën e ekipit në sezonet e fundit. Më pas, te Partizani erdhën disa lojtarë në muajin janar, por shumica dërrmuese ishin larg nivelit të pritshëm. I vetmi që merr notë kaluese, është Eleke.
KONTRATAT – Por as qëndrimi i nigerianit nuk është i sigurt, për shkak se sipas burimeve pranë klubit, kontrata i skadon në qershor dhe ka një opsion rinovimi, që do të shihet nëse do të aplikohet nga ana e klubit. Një tjetër lojtar në fund kontrate është edhe Arshonzh Bintsuka, që “de facto” është lojtar i lirë, pavarësisht se kontrata mbaron në qershor. Kongolezi nuk pritet të rinovojë nga ajo çka është folur deri më tani, pasi plani është transferimi në një kampionat më të fortë.
RINDËRTIM – Nisur nga më lart, por edhe nga fakti se Partizani ka pasur probleme serioze në gjetjen e golit që nga janari, ky repart duhet ribërë nga e para. Me largimin e Bintsukës dhe ikjen e mundshme të Eleke, të kuqtë duhet të kërkojnë të paktën një sulmues qendre, që do të konkurronte Albers Kekon.
Nga ana tjetër, edhe nga krahët duhen ndryshime, pasi askush nuk ka bindur në këtë sezon. Fillimisht do të duhet të mësohet e ardhmja e emrave si Vujnoviç apo Podstrelov.