Wed, May 14, 2025

FORMULA 1/ Në Imola për “pokerin”, Piastri shënjestron rekordin e Senës

  • PublishedMay 14, 2025

FORMULA 1/ Në Imola për “pokerin”, Piastri shënjestron rekordin e Senës

Oskar Piastri mund të barazojë një rekord të MekLaren që mbahet vetëm nga Airton Sena nëse fiton Çmimin e Madh të Emilia Romanjës, event që do të mbahet këtë fundjavë në Itali. Triumfi i Oskar Piastrit në garën e kaluar në Majami ishte i treti radhazi për australianin dhe është një hera e parë pas 27 vitesh që një pilot i MekLaranit e arrin këtë sukses.

 

Asokohe Mika Hakinen fitoi garën e fundit të sezonit 1997 në Herez përpara se të fitonte dy garat e para të kampionatit 1998 në Australi dhe Brazil në rrugën drejt titullit të tij të parë botëror. Duke u drejtuar në Çmimin e Madh të Emilia Romanjës këtë fundjavë, Piastri synon fitoren e katërt radhazi dhe të bëhet piloti i parë që e arrin këtë që pas nëntë triumfeve radhazi të Maks Vershtapenit mes garës së Japonisë 2024 dhe deri në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite në vitin 2024.

Nëse shënon fitore këtë të diel në Itali, Piastri do të bëhej piloti i dytë në histori për MekLarenin që fiton katër gara radhazi që nga koha e Airton Senës në vitin 1991. Atë vit, Sena e nisi sezonin me katër fitore radhazi, në SHBA, në Interlagos, në Imola dhe Monako. Duke u shtuar edhe 3 suksese të tjera atë sezon, Sena siguroi titullin e tretë dhe të fundit botëror.

Por pilotin legjendar të Formulës 1 nuk ishte hera e parë që fitonte 4 gara radhazi me MekLarenin, pasi diçka të tillë e kishte bërë edhe në vitin 1998, kur triumfonte në Britani, Gjermani, Hungari dhe Belgjikë gjatë një serie prej gjashtë fitoresh në shtatë gara. Ai fitoi në Kanada dhe Detroit, përpara se një vend i dytë pas Alain Prost në Francë të ndërpriste serinë para eventit në Silverston. Përveç Senës dhe para Piastrit, vetëm Hakinen ka fituar tri gara radhazi për MekLarenin, ndërsa Luis Hamilton ka fituar vetëm gara radhazi gjatë periudhës së tij gjashtëvjeçare me ekipin britanik.

Nëse Piastri fiton në Imola, katër fitoret e tij radhazi do ta çojnë atë vetëm një fitore pas rekordit të të gjitha kohërave prej pesë fitoresh, të mbajtur nga Sër Xhek Brabham. Ky i fundit ka shkruar historinë me sukseset e njëpasnjëshme në Holandë, Belgjikë, Francë, Britani dhe Portugalisë, në rrugën e tij drejt titullit të tij të dytë botëror në vitin 1960.


AlbaniaWeb.net