Sara Mila, ‘fenomeni i çuditshëm’ i zgjedhjeve të Elbasanit

Pasditen e të dielës së zgjedhjeve, një vëzhgues i Partisë Demokratike u fut me hapa të mëdhenj brenda oborrit të Fakultetit Ekonomik në Elbasan, për t’iu ankuar kryetares së komisionit se kolegët e tij socialistë po monitoronin votuesit nga lokali përtej rrugës.
“I filmojnë votuesit me kamera,” u ankua ai. Komisionerja ia preu shkurt, pasi kishte dëbuar më herët vëzhguesit e të dy palëve nga oborri. “Mos të shoh më këtu,” i tha ajo.
Në pak sekonda, para derës së oborrit të godinës universitare parkuan dy makina, zbritën dy burra të frustruar po nga kampi i opozitës dhe kërkuan shpjegim për çfarë po ndodhte.
Situata po shkonte drejt pikës së vlimit deri në momentin kur afrohet vëzhguesi i socialistëve, Kliton Kapaj, drejtues i teatrit “Skampa”. Për çudi, dy burrat takohen miqësisht duke tokur duart, situata sqarohet dhe Kapaj kthehet te birra e tij në tavolinë në lokalin përballë dyerve të fakultetit, ku dy dyzina burrash po ndjekin “El Classicon” mes Barcelonës e Realit.
“Këta ia fusin kot o burrë, nuk ndryshohet vota sot. Njerëzit e kanë nda mendjen,” thotë Kapaj me zë të lartë, që mund të dëgjohet edhe disa tavolina më tutje.
Pas 12 vitesh në pushtet, Partia Socialiste e thelloi rezultatin e vet në qarkun e Elbasanit, duke marrë më shumë se dyfishin e votave të koalicionit opozitar dhe 10 nga 14 mandatet e qarkut. Përtej makinerisë së mirëvajosur elektorale, komisionerë socialistë në Peqin dhe Elbasan ia dedikojnë këtë sukses edhe debutantes Sara Mila, kandidates së tyre 29-vjeçare.
Mila, një nëpunëse e Shërbimit Social Shtetëror dhe figurë e panjohur deri ditën që shpalli kandidaturën, rezulton deri mbrëmjen e së mërkurës kandidatja më e votuar mes socialistëve të listave të hapura në të gjithë vendin.
Me pothuajse dyfishin e votave nga kandidati pasardhës, Mila rivalizon në rezultat me rekordin e kapur në vitin 2021 nga ish-kreu i qarkut, Taulant Balla.
“Kjo goca [Sara Mila] ka ngjit. Nuk e di si e ka bo fushatën, por ka ngjit,” thotë me habi një prej vëzhguesve socialistë në qendrën e votimit të instaluar në shkollën “Mahir Domi” në lagjen 5 Maji, i shqetësuar për fatin e kandidatëve të tjerë socialistë të cilët i njihte personalisht. “Më tha gruaja do votoj Sarën,” shtoi ai.
Sipas kreut të opozitës, Sali Berisha, suksesi elektoral i Milës buron nga mbështetja që i ka dhënë asaj Suel Çela, një drejtues i krimit të organizuar në Elbasan, i shpallur në kërkim për një listë të gjatë veprash penale. “Suel Çela ditë e natë po zbaton porosinë e Edi Ramës për të zgjedhur deputete një Mile, Mile, Sara Mile”, paralajmëroi Berisha, duke i ndërruar një zanore në mbiemër kandidates.
Sara Mila i hodhi kategorikisht poshtë akuzat e Berishës se po mbështetej nga Suel Çela dhe i quajti ato thashetheme të shëmtuara dhe alibi për humbjen. Ajo e lidhi gjithashtu lakimin e emrit të saj me faktin, siç e tha ajo, se “pritej se unë do të isha mandati i 9-të i Partisë Socialiste në Elbasan.
“Berishës i marrin shumë fjalë për të mirëqenë, nuk jam e vetmja që kam hyrë në gojë të tij,” tha Mila, ndërsa shtoi se do ishte pa fjalë “po të kishte fakte reale”. E pyetur nëse kishte njohje personale me Suel Çelën, ajo u përgjigj: “Absolutisht jo”.
Në garë për të fituar
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në shtatë bashkitë e qarkut të Elbasanit morën pjesë rreth 132 mijë votues në zgjedhjet e së dielës dhe 60% e tyre votuan në favor të Partisë Socialiste.
Deri në orën 19:30 të së mërkurës, Sara Mila ka marrë gati 18 mijë vota ose më shumë se 20% të votave të të gjithë socialistëve të qarkut.
Mila vjen nga një profil modest publik dhe debutimin e saj në politikë e konsideroi si ‘një ëndërr” në tetor të vitit të kaluar, kur shpalli kandidaturën për Partinë Socialiste në qarkun e Elbasanit.
Bazuar në të dhënat e gjetura në internet, Mila ka filluar të punojë në moshën 24-vjeçare në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare pranë Kryeministrisë dhe në vitin 2022 u emërua drejtoreshë e njërit prej sektorëve të Shërbimit Social Shtetëror, të dyja punë të nivelit teknik.
Përtej karrierës si nëpunëse, ajo është vajza e një biznesmeni me aksione në dy kompani tregtie me qendër në Tiranë si dhe bashkëshorte e pronarit të një fabrike të përpunimit të aluminit. Në rrjetet sociale, ajo nxjerr gjithashtu në pah miqësinë me ish-deputeten socialiste, Reme Lala, dhe punoi në varësinë e saj, që kur kjo e fundit mori detyrën e kreut të Shërbimit Social Shtetëror.

Mila i tha BIRN përmes një bisede telefonike se si kandidate nga platforma “Deputeti që duam”, e kishte zgjedhur vetë kandidimin në Elbasan, pavarësisht se punonte në Tiranë.
“Një lloj frike ekzistonte brenda meje, megjithë këtë imazh që i është veshur Elbasanit…,” tha ajo, duke e hedhur më pas poshtë imazhin e një qyteti të kontrolluar nga krimi si të gabuar.
Suksesin e saj në këto zgjedhje, Mila thotë se ia dedikon kreativitetit dhe origjinalitetit të fushatës së saj, grupit që e mbështeti si dhe dëshirës së votuesve për të parë gjeneratën e re në parlament. Ajo thotë gjithashtu se mblodhi rreth vetes të majtë dhe të djathtë, përfshirë edhe kryetaren e Forumit të Gruas së PD për Elbasanin – e cila e ndihmoi sipas saj që të bënte fushatë pranë grave të Partisë Demokratike.
“Kam ndërtuar që prej fillimit një skuadër shumë të mirë, disa përfaqësues shumë të mirë të PS-së, disa që për arsye personale ishin shkëputur më herët. Unë kam arritur që t’i mbledh me një frymë të re dhe ata punuan secili si koordinator në të gjithë bashkitë e Elbasanit,” tha Mila, duke e konsideruar këtë grup njerëzish “një strukturë partie brenda partisë”.
Lakimin e emrit të saj përpara zgjedhjeve ajo e lidh me pritshmërinë e kundërshtarëve se ajo do të ishte fituesja e mandatit të 9-të në Elbasan.
“Nuk do shkoja në një garë për të mos fituar, nuk do të guxoja. Prindërit e mi, bashkëshorti dhe prindërit e tij vijnë nga bota e biznesit, dhe ata (opozita) druheshin për një potencial ekonomik dhe një fushatë shumë të mirë nga ana ime,” i tha ajo BIRN.
‘Fenomen i çuditshëm’
Përveç deklaratave të Berishës apo akuzave nga të tjerë drejtues të PD-së, lidhja e emrit të Milës me grupin e Suel Çelës është një bisedë e zakonshme në qarkun e Elbasanit.
Një votues i opozitës në Peqin, i tha BIRN pasi kishte votuar pranë Qendrës së Kulturës “Ferdinand Deda” se vota në qytet kontrollohej nga bandat. “Këtu janë bandat. Nuk i sheh se i kanë mbyll punët dje e pardje me parë”, tha burri rreth të 50-ave. Ai përmendi specifikisht emrin e Milës dhe këmbënguli se ajo merrte masivisht vota në bashkinë e Peqinit për shkak të mbështetjes së errët.
Vëzhgues lokalë të zgjedhjeve në zonën e Librazhdit po ashtu i thanë BIRN se Mila kishte një prani të fortë edhe në këtë rreth, në të cilin socialistët kishin kandidat kolegun e saj në listë, Olsi Komici. Një anëtar i kësaj force i tha BIRN se mbështetësit e saj shkaktuan përplasje mes socialistëve në këtë qytet.
Një vëzhgues i huaj i zgjedhjeve i tha gjithashtu BIRN se prania e posterave të Milës i tejkalonte kandidatët lokalë, ndërsa e përshkroi fushatën e saj si “fenomen i çuditshëm”.
Fuqinë përtej të zakonshmes të 29-vjeçares e pranojnë edhe votuesit socialistë. Taksisti në të zezë që na shoqëroi nga Peqini në Elbasan të dielën, tha se votoi për Milën pasi ajo i zgjidhi një problem të bashkëshortes në vendin e punës. Ai tha se deputeti aktual i zonës, Saimir Hasalla, po ashtu garues në listën e hapur të socialistëve, nuk ia kishte ngritur telefonin.
“Është shumë e fortë,” tha ai. “Asnjë se njihte atë në Peqin, po do marrë më shumë se Edi Rama”, shtoi burri dhe më pas pyet në mënyrë retorike: ti e di që atë e mbështet Sueli?!”.
Taksisti ishte i bindur që Mila merr në Peqin më shumë vota se Hasalla, ky i fundit i afërm dhe i zgjedhur në 2021 si deputet në zonë me përkrahjen e ish-deputetit Aqif Rakipi – ky i fundit i shpallur non-grata nga Departamenti amerikan i Shtetit për korrupsion në zgjedhje.
Edhe garues mes socialistëve hodhën hije dyshimi për garën. Ky gazetar ishte i pranishëm në një bisedë të kandidatit Florenc Spaho me mbështetës të tij, të cilët e komplimentuan për fushatën model. Spaho u përgjigj gjysëm me ironi se shpresonte që garë të tillë të kishin bërë edhe kandidatët e tjerë të PS-së.
Zyrtarisht, Spaho i tha BIRN se gara mes llojit kishte qenë e moderuar dhe e cilësoi atë të drejtë. “Procesi ka qenë një garë, jo një luftë apo betejë, ka qenë një garë normale,” tha Spaho pas përfundimit të votimit. Pasditen e së mërkurës, Spaho renditej i nënti në listën preferenciale, çka e mban atë jashtë parlamentit.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti u ankua se në Elbasan nuk kishte pasur zgjedhje.
“Unë mendoj që këtu nuk janë grupet kriminale problemi, problemi është qeveria. Kot me u dhënë vlerë atyre,” tha Alizoti, duke iu referuar mbështjes së hamendësuar për Milën.
Kandidatja 29- vjeçare thotë se është ndjerë disi e intimiduar nga ato që i quajti thashetheme, por shtoi se kishte vendosur që të ishte e qetë.
“Përballë thashethemeve nuk ke si të tregosh të vërtetën tënde, por kam vendosur të jem e qetë, ta marr qetësisht, pasi secila alibi që ata duan të zhvillojnë nuk është në interesin tim apo të Partisë Socialiste dhe askujt,” përfundoi ajo.