Liderët e Evropës konfirmojnë nga Tirana mbështetjen për Ukrainën

Një perimetër i gjerë sigurie, që niste nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga e Kavajës dhe e Durrësit, Xhamia e re e Tiranës dhe bulevardi Zogu i I-të, rrethonte sheshin “Skënderbej” të premten, ku Shqipëria mikpriti samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian.
Ukraina ishte kryefjala e këtij samiti, që titullin zyrtar e kishte;“Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – vendimmarrje të përbashkëta”, e ndarë në tre seanca të rëndësishme kushtuar sigurisë, demokracisë dhe emigracionit.
Nën një shi të rrëmbyeshëm, pak i çuditshëm për motin zakonisht me diell të Tiranës, liderët pjesëmarrës parakaluan në një tapet të kuq nga Muzeu Historik Kombëtar për në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Pikturat e mijëra nxënësve të shkollave publike të vendit ishin printuar në çdo cep të hollit të teatrit të Operas së Baletit dhe në faqet e jashtme dhe të brendshme të godinës së përkohshme, e ndërtuar pas monumentit të Skënderbeut, ku u mbajt seanca plenare e çeljes së samitit.
Spektakli i ngjyrave dhe ylli – simbol i fushatës elektorale të Partisë Socialiste mbizotëronin anën vizuale të samitit, për të cilën kryeministri Rama kujdeset veçanërisht në organizimet e aktiviteteve të këtij lloji. Ai madje ishte kujdesur dhe që t’i bënte për qeshur 47 kryeministrat dhe presidentët e ardhur në Tiranë me një video të gjeneruar me Intelegjencë Artificiale, pavarësisht se çështjet për të cilat ishte mbledhur, veçanërisht kërkimi i paqes në Ukrainë, ishin tejet serioze.
Mesazh i njëzëshëm ndaj Putinit

Krerët e shteteve dhe institucionet kryesore europiane dhanë një mesazh të fortë dhe të qartë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin se do të kishte sanksione të reja dhe më të forta nëse ai nuk pranonte një armëpushim të menjëhershëm dhe vijimin e bisedimeve të paqes.
Këto bisedime kanë nisur në Stamboll me ndërhyrjen e Turqisë, por siç pranuan dhe liderët europianë, Rusia nuk i ka marrë seriozisht, duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët që nuk ndërmerr dot vendime.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy e quajti Putinin një frikacak, pasi shkoi vetë në bisedime, ndërsa këmbënguli se duhej më shumë presion ndaj tij nga gjithë vendet anëtare të KPE-së.
“Përparësia jonë është që të ketë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar,” tha Zelenskyy në çeljen e punimeve të KPE-së.
Zelenskyy mori mbështetje nga grupi i shteteve që kanë krijuar “Koalicionin e Vullnetit”, krerët e të cilëve telefonuan nga Tirana presidentin amerikan Donald Trump për ta patur si aleat në qëndrimin ndaj Putin.
Biseda u njoftua nga Zelenskyy në X me një foto ku shfaqej presidenti francez, Macron, kancelari gjerman, Merz, kryeministri britanik, Starmer dhe kryeministrin polak Tusk.
“Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë,” shkruante Zelenskyy.
Seanca hapëse e samitit u duk se konfirmoi një aleancë më të gjerë se sa “Koalicioni i Vullnetit” në mbështetje të bisedimeve të paqes dhe një armëpushimi që nënkuptonte presion të shtuar ndaj Rusisë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer foli për “ultimatum” ndaj Rusisë dhe u kërkoi liderëve të pranishëm që t’i qëndronin deri në fund këtij ultimatumi.
Edhe kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz vuri theksin tek një qëndrim i përbashkët dhe i vendosur i Europës ndaj Rusisë. “Nuk është vetëm një luftë ndaj një vendi, ndaj Ukrainës, por është një luftë e drejtuar ndaj gjithë Europës,” tha ai duke iu referuar agresionit rus.
Presidenti francez, Emanuel Macron tha se Europa duhet të jetë e bashkuar dhe të kërkojë me këmbëngulje një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Duke iu drejtuar presidentit ukrainas me solidaritet, Macron akuzoi Rusinë se nuk e do armëpushimin e kërkuar.
Ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Lyer, risolli në kujtesë se vetë Komiteti Politik Evropian u krijua për të qëndruar në krah të Ukrainës e për të sjellë paqe. “Vetë fakti që jemi ulur të gjithë këtu sot në krah të Volodymyr është provë e qëndrimit tonë të fortë,” tha ajo duke konfirmuar vijimin e mbështjetjes së KPE-së ndaj Ukrainës.
Konfirmimi i mbështetjes së gjërë ndaj Ukrainës në Tiranë vjen vetëm dy ditë pasi Bashkimi Evropian miratoi një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë dhe paralajmëroi për ndëshkime shtesë nëse nuk pranohet armëpushimi në bisedimet e Stambollit.
