“S’ka qenë e lehtë…”, kujtimi që përloti Alketa Vejsiun e Gerta Hetën
Është gazetare prej shumë vitesh, me një karrierë të pasur në televizion dhe radio ajo ka arritur të intervistojë dhe të kapë në “grackë” shumë figura publike. Bëhet fjalë pikërisht për gazetaren e njohur Gerta Heta.
Por, mbrëmja e kësaj të premteje për të ishte e veçantë dhe krejt ndryshe! “Në Kurthin e Piter Pan”, në Tv Klan, ishte ajo që iu përgjigj pyetjeve të kureshtarëve të vegjël.
Me moderatoren e programit kanë një histori të gjatë dhe një miqësi të ngushtë. Të dyja shumë të reja dhe me plot ëndrra arritën që të krijonin me shumë vështirësi rrugën e tyre drejt botës së medias e televizionit. E teksa kujtojnë me nostalgji gjithçka kanë kaluar, ishte e pamundur që të mos përloteshin.
Gerta Heta: Më kujtohet në fillim fare kur ti ishte 14 vjeçe dhe unë isha diku tek 19 vjeçe dhe kur vija atje ti ma shprehje gjithmonë shumë hapur admirimin që kishe për mua. Në fund fare, kur ika unë në Amerikë, jemi përqafuar dhe kemi qarë.
Alketa Vejsiu: E vërtetë!
Gerta Heta: Më solle edhe një tufë me lule.
Alketa Vejsiu: Më vjen edhe tani për të qarë vërtet. Ka kaluar shumë kohë dhe ato janë shumë kohë të bukura, kur i kthehet njeriu me nostalgji, ishin kohë magjike, ishin kohët kur vraponim për t’u bërë diçka në këtë vend. Jam shumë e lumtur që në 28 vite kam privilegjin që të bëj punën që dua.
Gerta Heta: Shumë e vërtetë, je me fat edhe ti edhe unë.
Alketa Vejsiu: E di pse u emocionova?! Sepse nuk ka qenë e lehtë të bëhesh dhe ne u bëmë vetëm. Kemi qenë shumë të lidhura me pasionin dhe ëndrrën, jemi bërë vetë. Shumë kohë të mundimshme kanë qenë atëherë. Ka qenë një kohë shumë e vështirë, kemi qenë shumë të varfër, i kemin krijuar shanset nga asgjëja./tvklan.al