Sat, May 17, 2025

Kush është Michelle Hunziker,moderatorja që do të prezantojë finalen e Eurovision ?

  • PublishedMay 17, 2025

Kush është Michelle Hunziker,moderatorja që do të prezantojë finalen e Eurovision ?

Finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2025 zhvillohet këtë të shtunë në mbrëmje, dhe këtë herë do të prezantohet nga Michelle Hunziker, modelja dhe moderatorja 48-vjeçare me origjinë zvicerane dhe shtetësi italiane.

Eventi do të mbahet në arenën St. Jakobshalle në Bazel të Zvicrës, ku Michelle do të shoqërohet në skenë nga Hazel Brugger dhe Sandra Studer. Shfaqja mund të ndiqet nga ora 20:00 në BBC One dhe platforma të tjera ndërkombëtare.

Por kush është Michelle Hunziker, dhe si u bë një nga figurat më të njohura të ekranit?

Michelle u bë e njohur në vitet ‘90 dhe prej atëherë ka ndërtuar një karrierë të gjatë në televizion dhe film. Ajo ka luajtur në filma si The Protagonists, Alex l’ariete, Natale a Rio dhe Amore nero, si dhe në seriale si Love Bugs dhe I misteri di Cascina Vianello.

Ka qenë prezantuese dhe pjesëmarrëse në emisione të njohura si Striscia la notizia, Buona Domenica, Superstar dhe All Together Now.

Në jetën personale, Michelle ka qenë e martuar me këngëtarin italian Eros Ramazzotti nga viti 1998 deri në 2002, me të cilin ka një vajzë, Aurora, sot 28 vjeç. Gjatë atyre viteve, ajo është përfshirë në një sekt të quajtur “Warriors of Light”, ku ndiqeshin rregulla të rrepta si dieta vegane, ndalimi i alkoolit, seksit dhe duhanit.

Michelle ka treguar për këtë periudhë të jetës në autobiografinë e saj A Seemingly Perfect Life, ku rrëfen për ndikimin që pati kjo eksperiencë tek ajo dhe marrëdhënia me Erosin. Ajo largohet nga sekti në moshën 25-vjeçare, dhe ka deklaruar se pikërisht ky sekt ndikoi në ndarjen e saj me këngëtarin e famshëm.

Pas ndarjes nga Erosi, Michelle u martua me biznesmenin Tomaso Trussardi në vitin 2014, me të cilin ka dy vajza: Sole (12 vjeç) dhe Celeste (10 vjeç). Çifti u nda në vitin 2022.

Aktualisht, Michelle ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga Bazeli, ku ndodhet për finalen e Eurovision. Në një foto ku shihet duke bërë selfie, shkruan: “Dita e parë në Bazel!”, ndërsa një video nga ambientet e Eurovision-it është postuar më pas në “story”.

Këtë vit, Britania e Madhe përfaqësohet nga grupi vajzash Remember Monday, të përbërë nga Holly-Anne Hull, Charlotte Steele dhe Lauren Byrne, me këngën What The Hell Just Happened?. Ato shprehen se tashmë po ndjejnë emocionet e para të forta, teksa dita e madhe po afron.

Ndërkohë, aktori i “Doctor Who”, Ncuti Gatwa, i cili ishte parashikuar të ishte zëri i Britanisë në shpalljen e pikëve, është tërhequr për arsye të papritura. Në vend të tij, këtë rol do ta marrë këngëtarja Sophie Ellis-Bextor.