Trump “nuk e harron” Taylor Swift: Një tjetër thumbim publik ndaj këngëtares
Donald Trump ka vendosur ta ringjallë përplasjen e tij me Taylor Swift – këtë herë me një koment personal dhe jo pak thumbues në rrjetin e tij Truth Social.
“Ka vënë re ndonjëri se, që kur thashë ‘E URREJ TAYLOR SWIFT’, ajo s’është më ‘E NXEHTË’?” – shkroi presidenti amerikan 78-vjeçar më 16 maj, në një postim që ngjalli menjëherë reagime të shumta në rrjet.
Kjo nuk është hera e parë që Trump i drejtohet me tone përçmuese yllit të pop-it. Në shtator 2024, pasi Swift kritikoi përdorimin e imazheve të saj të gjeneruara nga AI për promovimin e fushatës së tij dhe deklaroi hapur mbështetjen për Kamala Harris, Trump shpërtheu për herë të parë në deklarata kundër saj.
Në një intervistë për Fox & Friends menjëherë pas kësaj, ai tha: “Nuk kam qenë ndonjëherë fans i Taylor Swift. Ajo gjithmonë mbështet Demokratët. Dhe do ta paguajë këtë në treg, më besoni.”
Por duket se edhe muaj më vonë, ish-presidenti nuk e ka harruar këtë episod. Gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë më 28 prill, për të festuar fitoren e Philadelphia Eagles në Super Bowl, ai i referohet sërish Swift-it, e cila ndodhej në të njëjtën ndeshje për të mbështetur partnerin e saj, Travis Kelce – lojtar i Kansas City Chiefs.
“Si përfundoi ajo?” – tha Trump, duke shkaktuar të qeshura në publik. “Si përfundoi ajo, a?” – e përsëriti sërish, me një buzëqeshje ironike.
Pavarësisht fushatës së vazhdueshme të Trump kundër saj, Taylor Swift ka vijuar të jetë një nga emrat më me ndikim në pop kulturë, duke kombinuar suksesin muzikor me angazhimin qytetar dhe politik. Por me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, është e qartë që “beteja” midis dy figurave ikonike të Amerikës sapo ka marrë një kthesë të re – dhe shumë më personale.