Policia sekuestron celularët e Elvis Rroshit dhe të katër personave të tjerë, dyshohen për korrupsion në zgjedhje

Policia e Shtetit njoftoi të dielën, më 18 maj, se në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore ka ushtruar kontroll fizik në banesat e pesë shtetasve të dyshuar, mes tyre edhe ish-kryetari socialist i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pasi dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje. Sipas policisë, kontrollet janë ushtruar në bashkëpunim me oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në njoftim sqarohet se gjatë kontrollit të ushtruar ndaj 50-vjeçarit Elvis Rroshi, banues në Kavajë, i është bllokuar telefoni celular. Po ashtu, në një ambient në pronësi të tij janë gjetur dhe sekuestruar fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat celularë të shtetasve Orges Sinella dhe Tak Rroshi nga Kavaja, si dhe të 35-vjeçarit Tauland Hasa nga Qerreti i Durrësit. Ndërkohë, 37-vjeçarit Mirel Sinella nga Kavaja i është sekuestruar një pajisje DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.
“Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë,” thuhet në njoftimin e policisë.
Elvis Rroshi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kavajës si kandidat i Partisë Socialiste në vitin 2011, duke thyer bastionin e Partisë Demokratike në këtë qytet. Në vitin 2016 ai u shkarkua dhe u procedua penalisht për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një dënim për përdhunim në Itali dhe dy dëbime nga autoritetet zvicerane. Po ashtu, ai u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje ligjore në tenderat publikë dhe ndaj tij u regjistrua një procedim penal në vitin 2017 për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Durrësit, e cila në fund kërkoi pushimin e çështjes. Megjithatë, çështja u rihap bazuar në një vendim të Gjykatës së Posaçme, e cila konstatoi pavlefshmërinë absolute të vendimit të organit të akuzës. Gjykata e kaloi çështjen vitin e kaluar për vijimin e hetimeve në SPAK.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, një kushëri i Elvis Rroshit, Elton Rroshi, kandidoi për Partinë Demokratike, çka solli akuza të ndërsjella mes dy kampeve politike.