Zemrat e amerikanëve rëndojnë: Joe Biden me kancer të përhapur në kocka
Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, 82 vjeç, është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, njoftoi zyra e tij të dielën.
Sipas deklaratës zyrtare, kanceri është metastazuar dhe tashmë është përhapur në kocka – një zhvillim që përfaqëson një fazë të avancuar dhe shqetësuese të sëmundjes.
Lajmi vjen vetëm një javë pasi u raportua se një “nodul i vogël” ishte zbuluar në prostatën e tij gjatë një kontrolli rutinë.
Deklarata e zyrës së Biden sqaron:“Javën e kaluar, Presidenti Biden u ekzaminua për shkak të një noduli në prostatë, pas rritjes së simptomave urinare. Të premten, ai u diagnostikua me kancer të prostatës me një rezultat Gleason 9 (Grupi 5), dhe me përhapje në kocka.”
Ky rezultat është shkalla më e lartë që mund të marrë një pacient me këtë lloj kanceri, dhe shenjon një formë shumë agresive.
Megjithatë, ka një rreze shprese: sipas mjekëve, kanceri duket të jetë hormon-sensitiv, çka mundëson trajtime efektive për ta menaxhuar.
Zyra e Biden-it thekson se: “Presidenti dhe familja e tij janë duke shqyrtuar opsionet e trajtimit së bashku me mjekët e tij.”
Kujtojmë që Biden është presidenti më i moshuar në historinë e SHBA-së, dhe pak muaj më parë u tërhoq nga gara për rizgjedhje në vitin 2024, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme mbi shëndetin dhe moshën e tij. Në vend të tij, kandidaturën e mori ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris.