“I dehur nga suksesi”, Liverpool harron të fitojë, e mund edhe Brighton
Me titullin kampion në xhep, Liverpool i lejoi vetes një humbje në transfertë 3-2 ndaj Brighton, në ndeshjen e vlefshme për javën e 37 e të parafundit të Premier League.
Skuadra e Arne Slot u mposht me përmbysje ndaj Brighton në ndeshjen e fundit në transfertë të këtij sezoni, përpara se sa të festojnë titullin këtë fundjavë në Anfield, aty ku “The Reds” do të sfidojnë Crystal Palace të dielën e 25 Majit.
Liverpool nuk rikthehet te fitorja edhe në javën e 37-të, duke pësuar një tjetër humbje pas sigurimit të titullit kampion. Reds u mposhtën 3-2 nga Brighton, në një ndeshje ku vendasit përmbysën rezultatin në pjesën e dytë falë zëvendësimeve të goditura nga trajneri Hurzeler.
Liverpool, që më parë kishte humbur ndaj Chelsea-t dhe barazuar me Arsenalin, nuk po arrin të gjejë më fitoren. Në këtë ndeshje, ata kaluan në epërsi herët me një gol të Elliott në minutën e 9-të pas një aksioni të bukur nga Bradley.
Brighton reagoi fuqishëm dhe, pas disa rasteve të krijuara, barazoi me Ayari-n në minutën e 32-të. Megjithatë, Liverpool riktheu avantazhin në fundin e pjesës së parë me një goditje surprizë nga Szoboszlai (46′).
Në pjesën e dytë, Salah shpërdoron një rast të artë për të shënuar golin e tretë, dhe Brighton e shfrytëzon këtë. Mitoma, i futur nga stoli, barazon në minutën e 70-të me një gol të shpejtë pas një aksioni nga Welbeck. Në minutën e 85-të, pas rishikimit me VAR, ishte Hinshelwood që shënon golin e përmbysjes për Brighton-in, duke mposhtur Alisson nga afër.
Liverpool nuk kishte më energji për të reaguar, duke e mbyllur ndeshjen me një tjetër humbje. Që nga momenti që siguruan titullin kampion, ata nuk kanë fituar më.Megjithatë 1 javë nga fundi Liverpool mbetet në krye me 83 pikë, +12 nga vendi I dytë që mbahet nga Arsenal, ndërkohë që Brighton ngjitet në vendin e 8 me 58 pikë, por duke mos patur shpresë për të prekur Evropën, për shkak të suksesit të Crystal Palace në finalen e FA Cup ndaj Manchester City.