Wed, May 21, 2025

Ndahet nga jeta aktori legjendar i “Cheers”, George Wendt

  • PublishedMay 21, 2025

Ndahet nga jeta aktori legjendar i “Cheers”, George Wendt

Një tjetër humbje për botën e televizionit. Aktori amerikan George Wendt, i njohur për publikun në mbarë botën si Norm Peterson në serialin “Cheers”, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, raportoi “The Guardian”.


Në një deklaratë të familjes thuhej:
“George ishte një njeri i kujdesshëm familjar, një mik i dashur dhe një person i besuar për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Ai do të na mungojë përgjithmonë. Familja kërkon privatësi në këtë kohë.”

Wendt ishte pjesë e pandarë e serialit të famshëm “Cheers” nga viti 1982 deri më 1993, duke u shfaqur në çdo episod – plot 275 në total. Performanca e tij ikonike si Norm i siguroi atij gjashtë nominime për çmimet Emmy.

Roli i Norm-it e shoqëroi edhe më tej, pasi Wendt e riinterpretoi atë në disa produksione të tjera televizive si “Frasier”, “Wings”, “The Tortellis”, “Family Guy” dhe “The Simpsons”.

Por repertori i tij nuk u kufizua vetëm aty. Ai ka luajtur edhe në seriale si “Sabrina the Teenage Witch”, “Columbo”, “Portlandia” dhe “The Goldbergs”.

Një emër që la gjurmë në komedinë televizive amerikane, Wendt largohet duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme në ekranin e vogël.