Wed, May 21, 2025

Partizani merr pjesë çdo vit, “ekspert” i Conference League

  • PublishedMay 21, 2025

Partizani merr pjesë çdo vit, “ekspert” i Conference League

Partizani është ndoshta pjesëmarrësi më i rregullt i Ligës së Konferencës në vendin tonë që kur ky kompeticion është themeluar. Të kuqtë kanë marrë pjesë katër herë radhazi, teksa ndeshjet e këtij viti do të jenë pjesëmarrja numër 5. Ky kompeticion, që në momentin e themelimit, u bë për t’u dhënë një mundësi klubeve të vendeve të vogla si Shqipëria, që të avancojnë më shumë dhe të nxjerrin më shumë fitime.

Dhe mund të themi se Partizani ka arritur ta shfrytëzojë deri diku, pasi në tre nga katër pjesëmarrjet e mëparshme ka arritur të kalojë ture, diçka shumë vështirë e arritshme në Champions dhe Europa League, kompeticioni i dytë për nga rëndësia.

REKORDI – Para dy vitesh, Partizani ishte më afër se kurrë arritjes në grupe. Të kuqtë e nisnin aventurën europiane në Champions League pas fitimit të titullit, ku eliminoheshin në raundin e parë nga BATE Borisov dhe më pas kalonin në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku eliminonin Atletik Eskaldes nga Andorra dhe letonezët e Valmierës, për t’u ndalur më pas në play-ff nga kazakët e Astanës në dy ndeshje shumë të luftuara, por të mbyllura me bilanc negativ, siç e shihni edhe në tabelën e ndeshjeve përbri shkrimit.

RIVALËT ME SIKLET – Mund të themi se tersi i madh i Partizanit në Ligën e Konferencës janë gjeorgjianët e Ibieria 1999, dikur të quajtur Saburtalo. Fati i ka vënë “Demat” në dy raste përballë gjeorgjianëve dhe në të dyja rasteve të kuqtë janë dorëzuar. Fillimisht, në vitin 2022 eliminoheshin me penallti në “Arenën Kombëtare” dhe vitin e shkuar gjeorgjianët fitonin bindshëm 2-0 në Gjeorgji dhe mbronin në Tiranë atë rezultat me një barazim pa gola. Sakaq, kundërshtari i vetëm të cilit Partizani i është dorëzuar pa kushte, është Bazeli. Në vitin 2022, pasi kalonin moldavët e Sfintul, dorëzoheshin pa asnjë shenjë reagimi ndaj gjigantëve të Zvicrës, duke pësuar 5 gola në dy ndeshje, pa shënuar asnjë gol.

NË MENDJE – Gjatë aventurave të këtyre katër viteve në Ligën e Konferencës, ka pasur edhe ndeshje ku të kuqtë kanë shënuar, madje kanë vendosur edhe rekorde. Të kuqtë i kanë shënuar plot 5 gola në një ndeshje moldavëve të Sfintul George, duke fituar ndeshjen e parë me shifrat 5-2. Në total në dy ndeshje të kuqtë arritën të shënonin plot tetë gola, çka përbën padyshim një nga raundet më produktivë për të kuqtë, që as kundër rivalëve nga Andorra nuk i kanë regjistruar këto shifra. Në totalin e dy ndeshjeve, Partizani shënonte plot tetë herë. Nga ana tjetër, pësonte katër gola.

GOLEADORI – Meqenëse jemi te golat, të ndalemi te Tedi Cara, golashënuesi historik i Partizanit në kompeticionet europiane me plot 9 gola. Tetë prej rrjetave kavajasi, aktualisht pjesë e Oleksandrias në Ukrainë, i ka shënuar pikërisht në Ligën e Konferencës. Sa i përket skuadrës aktuale, vetëm dy futbollistë kanë arritur të shënojnë në Ligën e Konferencës. Keko i ka shënuar një gol Marsaslokut vjet, ndërsa Bintsuka ndëshkonte Astanën dy sezone më parë. Keko pritet të jetë pjesë e ekipit, ndërsa për Bintsukën dyshimet janë të mëdha dhe me shumë mundësi ai nuk do të jetë, pasi ka përfunduar kontratën.

PENALLTITË – Në katër sezone me beteja në këtë kompeticion, Partizani ka një bilanc “baraz” sa u përket penalltive gjatë lojës. Të kuqtë kanë shënuar katër penallti dhe kundërshtarët i kanë shënuar po aq. Sa u përket ndeshjeve të vendosura nga gjuajtjet e 11-metërshave, në Ligën e Konferencës të kuqtë e kanë provuar vetëm një herë dhe kanë humbur në “Arenën Kombëtare” kundër Ibierias në vitin 2022.

AVANTAZHI – Partizani nuk ka skuadrën më të mirë të mundshme për të përballuar ndeshjet e kompeticioneve europiane, por ecuria e mirë e këtyre viteve ka bërë që t’i rritet koeficienti dhe përllogaritja e UEFA-s ta vendosë ekipin e kuq në vazon e favoritëve për shortin e raundit të parë të Ligës së Konferencës. Në këtë mënyrë, të kuqtë do të kenë mundësinë të përballen me skuadra më të lehta në letër. Mbetet të shihet sesa do t’i shërbejë dhe nëse të kuqtë do ta përdorin këtë avantazh për të kaluar sa më shumë ture.


AlbaniaWeb.net