Asistenti i Diddy-t: “Përdorte emrin ‘Frank Black’, më kërkonte edhe droga”
Organizimi i udhëtimeve për Sean “Diddy” Combs nuk ishte aspak punë e lehtë, sipas dëshmisë së një ish-asistenti të tij, George Kaplan, i cili dëshmoi këtë të mërkurë në gjykatën federale të Manhattan-it. Sipas Kaplan, reperi kishte një listë të gjatë kërkesash specifike për çdo qëndrim në hotel, dhe shpesh ai kishte vetëm pak orë në dispozicion për t’i përmbushur ato.
Kaplan tha se Diddy dhe shefja e stafit të tij, Kristina Khorram, i jepnin udhëzime të hollësishme për mënyrën se si duhej përgatitur ambienti në hotele luksoze në qytete si Los Angeles, Nju Jork dhe Miami. Dy nga hotelet e preferuara të Combs ishin The InterContinental në LA — ku ai u filmua teksa dhunonte Casandra “Cassie” Ventura në një ashensor — dhe Trump International Hotel & Tower në Nju Jork.
Për të shmangur vëmendjen e fansave dhe mediave, Combs përdorte një emër të rremë për rezervimet: “Frank Black”, një referencë ndaj emrit të artistit të ndjerë Notorious B.I.G., i njohur si “Frank White”.
Sipas Kaplan, para mbërritjes së Diddy-t, ai duhej të përgatiste dhomën me objekte të veçanta që përfshinin: rroba, altoparlantë, qirinj, alkool, vaj për trupin dhe lubrifikantë. Ai pranoi në gjykatë se këto i blinte vetë me kartë krediti të kompanisë, dhe se shpeshherë Combs e telefononte për të sjellë ushqim, rroba dhe “nganjëherë edhe drogë”.
“E kam bërë,” deklaroi Kaplan. Ai shtoi se ka marrë edhe ketaminë për të dhe se në çantën e tualetit të Diddy-t ndodhej gjithmonë Advil dhe substanca të tjera.
Kur u pyet pse i pastronte vetë dhomat, Kaplan tha: “Ishte e nënkuptuar – mbrojtja e imazhit të tij publik ishte shumë e rëndësishme.”
Kaplan është një nga shumë dëshmitarët që kanë dëshmuar kundër Combs, i cili përballet me akuza të rënda për trafikim seksual, prostitucion dhe aktivitet kriminal të organizuar. Diddy ka deklaruar pafajësinë e tij për të gjitha akuzat.