Fri, May 23, 2025

Apolonia dhe Tirana, paqe në miqësoren e “hallit”

  • PublishedMay 23, 2025

Apolonia dhe Tirana, paqe në miqësoren e “hallit”

Apolonia dhe Tirana janë ndalur në një barazim, 1-1, në miqësoren e luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Të parët që kaluan në avantazh, ishin vendësit me anë të Ndubuisit në minutën e 47-të, ndërsa, kur dukej se gjithçka do përfundonte me fitoren e fierakëve, në minutën e 84-t, miqtë arritën të barazonin me anë të Kolës. Apolonia dhe Tirana nuk i kanë mbyllur ende stërvitjet, edhe pse kampionati për këto dy skuadra ka disa javë që ka përfunduar. Skuadrat do të vijojnë me përgatitjet edhe gjatë muajit maj. Më pas, lojtarët e skuadrave do të lihen të lirë për pushime, ndërsa drejtuesit do të përgatisin skuadrën e sezonit të ri.

PJESA E PARË – Ndeshja nisi e bukur nga të dyja ekipet, ku së pari fierakët vizitojnë portën kryeqytetase, falë një gjuajtjeje nga jashtë zone të Umejiegos, por Selmani tregon aftësitë e tij në mënyrë të shkëlqyer. Më pas janë dy momente të mira për Tiranën, ku fillimisht Soler e më pas Bajroviç godasin, por pret portieri Kaçaj. Në të 25-tën, Bajroviç shënon me parabël, pas krosimit perfekt të Solerit, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Nuk ka protesta nga kryeqytetasit. Pesë minuta më vonë, radha e fierakëve, që rrezikojnë me anë të Maksutit, i cili, pasi doli vetëm përballë portierit, vonohet në goditje, gjuan tokazi dhe mbrojtësi Meta ndërhyn në momentin e fundit. Në të 36-tën, Ismajli për pak sa nuk shënon me kokë, pas krosimit perfekt të Haxhiut. Katër minuta më pas, kundërpërgjigjet Apolonia me Ndubuisin, por jashtë. Me rezultatin 0-0 u mbyllën 45 minutat e para.

PJESA E DYTË – Apolonia e nis vrullshëm këtë fraksion, ku në minutën e 47-të kalojnë në avantazh. Nga rreth 25 metra, Topi kroson mjeshtërisht në shtyllën e dytë, aty ku qendërmbrojtësi Ndubuisi godet saktë me kokë dhe topi përfundon në rrjetë. Tirana shton dozën e sulmeve dhe në të 58-tën pretendon për 11- metërsh. Përgjoni vertikalizon një top për Rafaelin, i cili driblon këdo që i del përpara dhe depërton me shpejtësi në zonë. Mirëpo, në momentin e fundit dhe në rënie e sipër, topi përplaset në trupin e Ndubuisit. Për gjyqtarin Ferataj nuk ka asgjë të parregullt, ndonëse kryeqytetasit protestojnë ashpër. Ndeshja ka shumë ritëm, me miqtë që janë më të rrezikshëm kur dalin përpara. Kur dukej se gjithçka do përfundonte me fitoren e fierakëve, në të 84-tën kryeqytetasit barazojnë shifrat me Kolën, i cili përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes, së bashku me daljen e gabuar të portierit Vinsent, gjuan saktë me kokë dhe 1-1. Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat krijojnë raste të tjera për të shënuar, por rezultati mbeti i pandryshuar.


AlbaniaWeb.net