Gjimshiti shqetëson Atalantën, Katari “josh” kapitenin kuqezi
Me shumë mundësi Gasperinin në stol, te paktën edhe për një tjetër vit, dhe me Champions të hipotekuar, Atalanta ka nisur punën për të ndërtuar ekipin për sezonin e ri. Drejtuesit e ekipit bergamask janë të shqetësuar në lidhje me të ardhmen, mbi të gjitha për repartin defensivë, kjo për disa arsye. Toloi do t’i jap fund karrierës, e mbyll në fund të këtij sezoni me futbollin e luajtur, ndërsa Kolasinac dhe Scalvini nuk ofrojnë garanci fizike. Një shqetësim më vete është edhe e ardhmja e kapitenit kuqezi, Berat Gjimshiti.
Sipas La Gazzetta dello Sport: “Gjimshiti mund të ndryshojë destinacion në fund të këtij sezoni”. Pak kohë më parë Al Rayyan, ekipi nga Katari, u paraqit në dyert e Atalantës me një oferte zyrtare për qendërmbrojtësin, por në atë kohë ishte Gjimshiti që vendosi veton duke preferuar të qëndrojë në Serie A, tek Atalanta.

Sipas të përditshmes italiane, situata këtë sezon mund të jetë ndryshe, pasi Gjimshiti mund ta marrë në konsideratë ofertën e tyre, sigurisht shumë herë më e mirë në aspektin ekonomik. Atalanta nuk pritet të bëhet pengesë, por pret sigurisht një konfirmim nga ana e Gjimshitit. Në moshën 32-vjeçare, nuk është aspak çudi që Gjimshiti të mendojë për një kontratë më të mirë në aspektin ekonomik, për këtë arsye kapiteni shqiptar është i dyzuar në lidhje me të ardhmen e tij.
()