Fri, May 23, 2025

Zbulohet skema që “eliminon garën” gjatë transferimeve paralele të prokurorëve

  • PublishedMay 23, 2025
Zbulohet skema që “eliminon garën” gjatë transferimeve paralele të prokurorëve

Shqyrtimi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të premten më 23 maj i projekt-akteve për renditjen e prokurorëve në garë për disa pozicione vakante në prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit, ngjalli diskutime mes anëtarëve të këtij këshilli, ku u ngritën pretendime për mungesë të garës konkurruese mes magjistratëve, të shkaktuar nga procedura e ndjekur deri tanimë, e cila u jep mundësinë kandidatëve të shprehin preferenca për vakancat.

Kryetari i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë KLP-së, anëtari magjistrat , paraqiti të dhënat për prokurorët që kanë kandiduar për secilin prej pozicioneve në këto dy prokurori. Ai vërejti se prokurorë të caktuar kanë shpallur preferenca për një prej pozicioneve. Nga sa relatoi Stojani, në shumicën e rasteve disa prej prokurorëve e kanë tërhequr kandidaturën, duke bërë që në garë të mbetet vetëm një prej tyre. Ata që mbetën në garë u shpallën fitues dhe u transferuan në vendet vakante përmes lëvizjes paralele në prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit.

Dhe në ato raste, kur pavarësisht tërheqjes nga kandidimi të një pjese të kandidatëve, në garë mbeteshin dy ose tre prokurorë, rezultoi se në fund vetëm njëri ishte pretendent real për vakancën, pasi të tjerët tashmë ishin emëruar, duke qenë se kishin aplikuar për më shumë se një vend.

Anëtari jo magjistrat i KLP-së, e cilësoi në intepretim të gabuar të legjislacionit dhe rregullores kryerjen e kësaj procedurës nga ana e këshillit për transferimet nëpërmjet lëvizjeve paralele, duke vërejtur se nuk mund të ketë vende preferenciale brenda një zyre prokurorie. Sipas tij, mund të ketë preferenca nga ana e prokurorëve për vende në zyra të ndryshme të prokurorive, për të zgjedhur një midis dy apo më shumë prokurorive, por jo për të patur preferencë për vende të të njëjtës zyrë.

Ai nënvizoi se kjo procedurë që ndiqet ka eleminuar garën dhe se i ka katandisur prokurorët që ta zgjidhin mes njëri-tjetrit se kush do të shkojë në një prej vakancave dhe se në këto kushte, KLP mbetet thjesht një noter. “Nuk duhet t’i çojmë prokurorët për të shprehur preferenca për një karrige në kat të parë apo në kat të dytë të të njëjtës zyrë prokurorie”, tha Fejzulla.

Anëtari prokuror, e cilësoi të drejtë konstatimin e bërë nga Fejzulla, duke vërejtur se me këtë procedurë humbet gara pasi ndikohet nga aspekti teknik. Sipas Hodos, transferimet paralele në vendet vakante duhet të kryhen mbi bazën e meritës dhe jo përmes teknikalitetit. Ai theksoi se duhet të diskutojnë se çfarë mund të bëjnë që garat të bazohen në parimin e meritokracisë.

Dhe anëtari prokuror, Vatë Staka deklaroi se me këtë procedurë, komisioni mbingarkohet me punë të panevojshme. “Duhet të bëhen 100 procedura për 10 vende vakante”, deklaroi ai duke nënvizuar se mund të bëhej vetëm një procedurë nëse nuk do të kishte shfaqe preferenciale për vendet vakante brenda një prokurorie.

Po ashtu, u konstatua se kjo procedurë sillte zvarritje në kryerjen e transferimeve paralele.

Anëtari jomagjistrat Erind Mërkuri pohoi se kështu është shkruar ligji dhe se ka dhe praktikë të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë për këtë çështje që imponon këtë procedurë. Ai u shpreh se këshilli mund të propozojë ndryshim ligjor lidhur me këtë rrethanë, ku për gjyqtarët të ketë përcaktim të ndryshëm nga prokurorët.

Kryetari i komisionit, Sokol Stojani tha se duket se kur është bërë ligji është menduar gjykata dhe në këtë rast bënë sens, pasi gjykata ka dhoma penale e civile dhe gjyqtarët kandidatë për vendet vakante mund të shprehin preferencat për pozicionet në të cilat kanë eksperiencë. “Ligji gabimisht na ka futur në të njëjtin thes”, tha Stojani dhe e cilësoi të drejtë sugjerimin e Mërkurit për të propozuar .

Por, sipas tij, nëse do i bënte vetë këshilli ndryshimet e procedurës, në këtë moment do të sillte konfuzion të madh.

Megjithatë, Fejzulla këmbënguli duke e cilësuar ligjin të qartë dhe tha se nëse e lexonin drejtë atë, nuk kishin përse të ndikoheshin nga praktika e Gjykatës së Lartë. “Ne mund të themi për preferencë për zyrat, në Tiranë, Durrës apo diku tjetër dhe jo brenda një zyre”, ritheksoi ai dhe nënvizoi se thirrja e tij ishte për reflektim të këshillit dhe jo për të hapur debat.

Në vijim, Hodo ngriti shqetësime dhe për caktimet e përkohshme të drejtuesve të prokurorive. Sipas tij, në Prokurorinë e Beratit prej 5 vitesh vijohet me caktim të përkohshëm të drejtuesit dhe propozoi delegimin, si zgjidhje më të mirë dhe ligjore për këtë situatë.

Stojani tha se nëse do të caktonin dikë pa pëlqimin e tij, do të ishte më keq, pasi do të shfaqte performancë të dobët si drejtues. Sipas Stojanit, është ndryshe kur e cakton prokurorin për hetimin e një çështje, pasi e përcakton ligji. “Transferimi i drejtuesit pa pëlqim ëshë mjeti për ta shkatërruar një zyrë”, tha Stojani dhe konstatoi se janë pragmatistë.

Por anëtari Erion Fejzulla u përgjigj se nuk mendonte se “zyrat e prokurorive janë atraksione turistike”. Sipas tij, nuk duhet që caktimi i përkohëshëm të tejkalojë atë të përhershëm. Fejzullah nënvizoi se një drejtues që vijon prej 5 vitesh me caktime të përkohshme kishte arritur të konsumonte afro dy mandate drejtuesi të përhershëm.