Sat, May 24, 2025

I iku titulli nga duart, Inter kthen vështrimin nga finalja e Champions, Asllani: Ta sjellin në Milano atë trofe

  • PublishedMay 24, 2025

I iku titulli nga duart, Inter kthen vështrimin nga finalja e Champions, Asllani: Ta sjellin në Milano atë trofe

Inter bën detyrën, fiton 2-0 sfidën e fundit përballë Como-s, por zikaltërit dalin “duar bosh” sërish, në një kohë fati i titullit në Serie A nuk ishte në dorë të tyre. Titulli i shkon Napolit, ndërsa tani ekipit të Inzaghi-t nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të kthejë vështrimin nga finalja e Champions League, shansi i fundit për të shpëtuar këtë sezon ku fillimisht ëndërruan “tripletën”, por tani rrezikojnë jashtëzakonisht shumë ta mbyllin me zero tituj.

Inzaghi kishte bërë një rotacion thuajse të plotë, por ndaj Comos e zgjidhën shumë thjesht. De Vrij me kokë në minutën e 21-të kaloi Inter në avantazh. Në fundin e pjesës së parë, portieri Reina u ndëshkua me karton të kuq duke lënë Comon me 10-të lojtarë.

Me fillimin e pjesës së dytë ishte Correa që realizoi golin e dytë, por në të njëjtën kohë realizoi edhe Napoli, duke e bërë nul këtë sukses të Interit që e mbyll sezonin e rregullt në vendin e dytë. Në sytë e të gjithë lojtarëve ishte i dukshëm trishtimi, por tani nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të bëjnë gjithçka për të fituar përballë PSG më 31 maj në Mynih, fakt që e pranon edhe Kristjan Asllani, me mesfushorin kuqezi që zhvilloi 90 minuta të plota në këtë takim:

“Sigurisht që ky fund na lë një shije të hidhur, por tani kemi përpara ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Duhet ta përgatisim mirë dhe të shkojmë atje për të fituar. Champions është kupa më e rëndësishme nga të gjitha, duhet të mendojmë se si të kthehemi nga Mynihu të gëzuar, jo të trishtuar si sot. Si mund ta përshkruaj këtë sezon? Unë mendoj pozitiv. Nuk e fituam titullin për 1 pikë diferencë, dolën nga Kupa në fazën gjysmëfinale, por tani kemi dhe Champions, duhet ta sjellin në Milano atë trofe”, u shpreh Asllani pas ndeshjes.

()


AlbaniaWeb.net