Sekreti më i madh i Freddie Mercury del në dritë pas 30 vitesh
Një rrëfim që sfidon kohën dhe legjendën është zbuluar së fundmi për Freddie Mercury-n – yllin e pavdekshëm të grupit Queen. Në një biografi të re, del në dritë një histori e papritur që e vendos në një tjetër dritë figurën enigmatike të artistit: Mercury, sipas librit, ishte baba i një vajze të fshehtë, me të cilën ruajti një marrëdhënie të ngushtë deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Libri “Love, Freddie” nga autorja britanike Lesley-Ann Jones tregon se Mercury u bë baba pa e planifikuar, gjatë një afere në vitin 1976 me gruan e një miku të tij të ngushtë. Vajza, e identifikuar vetëm me inicialin B, është sot 48 vjeç dhe punon në fushën e mjekësisë në Evropë. Ajo ka qëndruar larg syrit të publikut për dekada, duke ruajtur një sekret që – siç thotë vetë – “i përkiste vetëm atyre të dyve”.
Freddie e njihte plotësisht rolin e tij si baba dhe i qëndroi pranë B-së deri në fund. Në një prej letrave të saj të publikuara në libër, ajo pohon se “Freddie më adhuronte. Ai më pa si një pasuri të çmuar”. Më shumë se kaq, Mercury i la amanet 17 fletore personale, të mbushura me kujtime, reflektime dhe rrëfime intime që i kishte mbajtur ndër vite – një trashëgimi shpirtërore që vajza e tij zgjodhi ta ndajë tani, pas më shumë se 30 vjetësh heshtjeje.
Në këto fletore, që nisin më 20 qershor 1976 – pak pas publikimit të këngës “You’re My Best Friend” – Mercury shkruan për jetën e tij në Zanzibar, fëmijërinë në Indi dhe shpërnguljen në Angli, por edhe për marrëdhënien e ndërlikuar dhe të thellë me vajzën e tij. Shënimi i fundit është bërë më 31 korrik 1991, disa muaj para se Mercury të ndërronte jetë si pasojë e komplikacioneve nga AIDS.
Autorja e librit shprehet e bindur se rrëfimi është autentik dhe se vajza nuk ka pasur asnjë interes financiar për publikimin. “Askush nuk mund të kishte shpikur këtë histori. Fletoret janë realiteti i pastër i një babai që donte vajzën e tij, por e mbante fshehur për ta mbrojtur nga bota.”
Ky zbulim i ri nuk ndryshon thjesht një fakt biografik – ai e bën më njerëzor një ikonë që për shumëkënd mbetet legjendë, duke shtuar një tjetër dimension prekës në figurën e Freddie Mercury-t.