Sun, May 25, 2025

Euro U-17 / FSHF organizon darkë mikpritjeje, Presidenti Duka: Kemi bërë më të mirën që të ndiheni si në shtëpinë tuaj

  • PublishedMay 25, 2025

Euro U-17 / FSHF organizon darkë mikpritjeje, Presidenti Duka: Kemi bërë më të mirën që të ndiheni si në shtëpinë tuaj

Federata e Futbollit organizoi një darkë mikpritjeje në nder të ekipeve pjesëmarrëse në Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, stafit organizativ të UEFA-s si edhe shumë të ftuarve të tjerë nga bota e futbollit.

Gjatë kësaj mbrëmjeje, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi rëndësinë e këtij eventi për Shqipërinë, duke e cilësuar si një ngjarje të veçantë jo vetëm për futbollin shqiptar, por edhe për të rinjtë që ndjekin dhe luajnë këtë sport.

Presidenti Duka nënvizoi gjithashtu se janë bërë të gjitha përpjekjet që organizimi i Kampionatit Europian U-17 të jetë në nivelin më të lartë, duke siguruar kushte sa më të mira për të gjithë pjesëmarrësit, me qëllim që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të largohen nga Shqipëria me kujtime të bukura.

“Në emrin tim, të Federatës së Futbollit dhe të komunitetit shqiptar, ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri. Ky turne final i Kampionatit Europian, për shumë nga ju, duke qenë se keni goxha eksperiencë nëpër federata, apo qoftë për Christopher-in që ka mbi 30 vjet në UEFA, mund të jetë një gjë e zakonshme, por për ne është një gjë shumë e veçantë dhe e rëndësishme.

Nuk është se kemi pasur më parë eksperiencë për të organizuar turne final të këtij niveli. Kemi organizuar gjëra të tjera më parë, ndoshta më të vogla, qoftë edhe finalen e Conference League. Por ky turne ka veçoritë e veta dhe vërtetë është më i bukur se të tjerët. Është i rëndësishëm për fëmijët që luajnë futboll, për fëmijët që kanë qenë në shkallët e stadiumeve për t’i mbështetur dhe pse jo, për t’u bërë futbollistë nesër. Ajo që është më e rëndësishme për ne, si ndihmës të organizatorëve që është UEFA, është që ju të ndiheni komodë dhe mirë, ju dhe të gjithë të rinjtë që kanë ardhur të luajnë në Shqipëri.

 

Nuk e di nëse vërtet jeni kënaqur dhe nëse stafi ynë i ka bërë të gjitha gjërat mirë, por një gjë jam i sigurt; kemi bërë më të mirën që ju të ndiheni si në shtëpinë tuaj. Që djemtë e rinj të jenë komodë në stërvitjen dhe në lojën e tyre, dhe që të largohen jo vetëm nga ky aktivitet i rëndësishëm, por edhe nga vendi ynë, me një kujtim të mirë dhe të bukur. Pse jo, të kenë krijuar edhe miqësi, sepse në fund të fundit, nëpërmjet lojës, ne shkëmbejmë kultura dhe krijojmë miqësi.

Jemi vetëm në mesin e Kampionatit, dhe fatkeqësisht skuadra jonë nuk është se ka pasur rezultate të mira, por unë jam i lumtur që jemi pjesë e këtij Europiani edhe si skuadër.

Besoj që edhe djemtë që kanë luajtur duhet të jenë të kënaqur, sepse kanë krijuar një eksperiencë të bukur. Duke qenë se jemi drejt fundit, uroj që edhe pjesa e mbetur të shkojë edhe më mirë se deri tani dhe ta mbyllim me një finale të bukur në Tiranë”, – tha Presidenti Duka.

Delegati i UEFA-s, Claudio Negroni, vlerësoi organizimin e finaleve të EURO U17 në Shqipëri, duke e cilësuar si një test të suksesshëm. Ai përgëzoi punën e FSHF-së dhe nënvizoi pjesëmarrjen e lartë të tifozëve, me një mesatare prej 4.500 spektatorësh për ndeshje, shifra e dytë më e lartë që nga viti 2002.

“ Kam kënaqësinë të flas në emër të përfaqësuesve të UEFA-s për finalet e këtij kompeticioni, të cilin Shqipëria e organizon për herë të parë, por që nuk do të jetë i fundit, pasi Shqipëria do të mirëpresë në vitin 2027 finalet e EURO U21.

EURO U17 është një test shumë i mirë, një trajnim i mirë, dhe ne i urojmë Presidentit dhe skuadrës së tij gjithë të mirat dhe suksese në organizimin e këtij turneu prestigjioz. Kjo është e ardhmja, por për mua e tashmja duket shumë e mirë.

Falënderime të sinqerta shkojnë për Evian, drejtuesen e turneut, dhe ekipin e saj, të cilët po bëjnë një punë shumë të mirë deri tani.

Një element tjetër që është shumë impresionues është pjesëmarrja nëpër ndeshje. Deri më tani kemi pasur pothuajse në çdo ndeshje 4.500 spektatorë të pranishëm në stadium, që është rekordi i dytë më i mirë për pjesëmarrje që nga viti 2002. Gjermania vazhdon e mban rekordin prej shumë vitesh me mbi 5.500 spektatorë.”, – tha Claudio Negroni.


AlbaniaWeb.net