Lot dhe emocione në Bernabeu, madrilenët përshëndesin dy ikonat, Ancelotti e Modriç: Krenar që ishim pjesë e historisë së këtij klubi
Real Madrid e mbyll me fitore kampionatin këtë sezon, me merengues që triumfuan 2-0 në “Santiago Bernabeu” ndaj Real Sociedad. Protagonist i sfidës ishte sulmuesi francez Kylian Mbappé, i cili realizoi një dopietë, duke e bërë atë pretendentin kryesor për “Këpucën e Artë” këtë vit.
Fillimisht, Mbappé realizoi golin në minutën e 38, pasi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, me topin që i erdhi sërish francezit pas devijimit nga portieri mik, me francezin që nuk fali. Ndërsa goli i dytë erdhi vetëm 7 minuta nga fundi, pas një diagonalje të bukur me të majtën në shtyllën e parë. Real Madrid e mbyll sezonin pa trofe, teksa në La Liga “Los Blancos” mjaftohen vetëm me vendin e dytë.
Megjithatë, më shumë se sa për ndeshje, kjo ndeshje do të mbahet mend nga të gjithë tifozët madrilenë si dita e lamtumirës së dy ikonave të këtij klubi: Carlo Ancelotti dhe Luka Modriç. Lot dhe emocione tek të pranishmit në Bernabeu, teksa në fushën e blertë parakaluan si tekniku italian Ancelotti, që përfundoi aventurën e tij të dytë tek Real Madrid si trajner me 2 kampionate dhe 3 Champions të fituar, si dhe në krahun tjetër legjenda kroate Luka Modriç, që pas 13 vitesh me fanellën e Los Blancos largohet, pasi ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke fituar 3 herë La Ligën dhe 5 herë UEFA Champions League. Të dy theksuan rëndësinë e të qenurit pjesë e klubit madrilen dhe sa shumë krenarë janë që kanë qenë pjesë e historisë së suksesshme të 15 herë kampionëve të Evropës.
“Mos u dëshpëro sepse përfundoi, gëzohu sepse ndodhi”, shkruan në titullin kryesor shprehjen e famshme, e përditshmja spanjolle “AS”, duke iu referuar pikërisht dyshes Ancelotti dhe Modriç.

Ndërkohë, në Madrid, me fillimin e javës së ardhshme, pritet të zyrtarizohet në stol tekniku spanjoll Xabi Alonso.