FOTO/ Një Juve e çmendur, e mbyll në Champions, por Tudor bën gati “valixhet” (VIDEO)
Për Juven, ky ishte një sezon ku e nisën me shpresa dhe objektiva të mëdha, blenë një trajner si Thiago Motta, investuan jo pak në merkaton, por gjerat dolën jashtë parashikimeve duke detyruar drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” të shkarkonin Mottën, t’i besonin stolin Tudor dhe të shpëtonin atë që kishte mbetur. Juve ia del në frymën e fundit, arrin të shpëtojë këtë sezon duke e mbyllur në vendin e katërt, duke siguruar një biletë për në Champions League.
Ashtu siç e nisën, ashtu edhe e mbyllën këtë sezon, me vështirësi dhe dramë, në një kohë kur Venezia i vendosi jo pak në vështirësi, madje vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me Fila-n. Juve reagoi fuqishëm, u rikthye në lojë me një super gol të Costa-s, por me ndihëm e sistemit VAR, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë. Pavarësisht golit të anuluar, “Zonja e Vjetër” nuk hoqi dorë nga faza ofensive, në minutën e 25-të Yldiz barazoi shifrat në 1-1, ndërsa në minutën e 31-të ishte Kolo Muani ai i cili përmbysi rezultatin me një goditje të fortë brenda në zonë.
Të shtyrë nga dëshira për të mbijetuar, Venezia i hapi sërish punë Juves pasi në minutën e 55-të, Haps barazoi shifrat në 2-2. Juve gjeti forcat dhe në minutën e 73-të Conceicao fitoi një 11 metërsh, ndërsa nga pika e bardhë e penalltisë Locatelli u treguan i saktë duke rikthyer edhe një herë “Zonjën e Vjetër” në avantazh. Në pjesën e mbetur të takimit, portieri Di Gregorio u kthye në mur duke mbajtur në fuqi këtë sukses 3-2 që i dhuron Juves një biletë për në Champions League:
“Në Champions, një Juve e çmendur”, shkruan TuttoSport në faqen e parë. “Juve shkon në Champion, tani Conte”, ishte titulli kryesor i La Gazzetta dello Sport.
I pa qartë në lidhje me të ardhmen e tij u shfaq edhe trajneri Tudor, edhe pse arriti objektivin që iu vendos: “Nuk e di të ardhmen, por do të mësohet përpara Botërorit për Klube. Unë jam i lumtur këtu, por duhet të pranojmë jetën që bën një trajner, është gjithnjë në dyshim”, u shpreh Tudor.
()