Thu, Aug 7, 2025

‘’Dashuria për pikturën, librin dhe Gardën’’, ekspozita më e re e Gjergj Kolës në Itali

  • PublishedMay 27, 2025

Piktori i njohur shqiptar, Gjergjj Kola, ka hapur një ekspozitë të veçantë në ambientet e Muzeut të Turizmit në Limone Sul Garda, vend në të cilin ai jeton prej vitesh dhe ushtron krijimtarinë e tij. Pikërisht për dashurinë dhe lidhjen e fortë që ka me këtë provincë të Italisë, e ka titulluar ekspozitën “Limone sul Garda në artin e piktorit Gjergj Kola”, event në të cilin u prezantua edhe libri-album me të njëjtin titull, i realizuar nga profesori i merituar i Universitetit të Selanikut z.Kostantinos Fotiadis.



‘’Gjergj Kola, artisti i njohur me origjinë shqiptare, prej shtatë vitesh jeton dhe krijon në zonën e Liqenit të Gardës, bashkë me familjen e tij. Ai banon në Riva, ndërsa studion e artit dhe galerinë e ka në rrugën Caldogno 2/d, në Limone. Pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1991 për arsye politike, rrugëtimi i tij artistik u përhap në disa vende. “Angazhimi i tij në fusha të ndryshme të artit figurativ nga piktura kavaletiste dhe ajo monumentale, te ilustrimi i librave dhe skenografia teatrale, i ka dhënë njohje të gjerë në Greqi, Itali, Evropë, Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe në vende të tjera të botës”, thuhet në materialin prezantues të ekspozitës.

Puna e tij është ekspozuar në galeri dhe ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, si në Luvër (Paris), Londër, Nju Jork etj. Liqeni Garda, dhe në veçanti Limone, janë kthyer në një pikë referimi të rëndësishme në krijimtarinë e tij.

Mediat italiane e kanë pasqyruar shpesh punën artistike të Gjergj Kolës, ashtu sikurse edhe në këtë ekspozitë të radhës ku nuk munguan artikujt dedikuar karrierës dhe artit të tij. Gazeta L’Adige shrkuan se: ‘’Albumi i botuar përmbledh veprat që Kola ia ka kushtuar qytetit dhe liqenit të dashur, si dhe pasqyron rrugëtimin e tij artistik 34-vjeçar. Ai paraqet një dialog të vazhdueshëm përmes artit me kultura të ndryshme nga mbarë bota. Pikturat e frymëzuara nga Limone dhe liqeni janë ekspozuar jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj, ndërsa veprat e tij botohen shpesh në revista të artit bashkëkohor dhe ato teologjike.’’

Në këtë ekspozitë, që hapi zyrtarisht sezonin e ri të Galerisë së Artit në Limone, dhe që  do të qëndrojë e hapur deri në fundit të muajit maj 2025, përveç veprave të lidhura me liqenin dhe qytetin, shfaqen edhe ilustrime librash dhe kopertina të punuara nga vetë artisti.

Aktiviteti mbi ekspozitën u organizua nga kryebashkiaku historik i Limone Sul Garda Franceschino Risatti, ndërkohë që librat dhe ekspozita u prezantuan nga profesoresha e arteve Barbara Sturmar dhe profesoresha e historisë Vjollca Kola. Pjesë e eventit në fjalë ishin edhe të ftuar të tjerë, që mbështesin vazhdimisht artin e Gjergj Kolës si presidentia e Liqenit të Garda të Lombardisë Stefania Lorenzoni, presidenti i muzeve të Garda, Mauro Carrozza, si dhe personalitete të shumtë nga fusha dhe vende të ndryshme.

Limone Sul Garda është një qytezë në provincën e Lombardit, në Itali. Emri dhe origjina e tij, është po aq e bukur sa edhe vetë vendi. Pamja piktoreske e Limones është e gjitha e rrethuar nga liqeni ‘Garda’. Ndërsa vija liqenore e qytezës, dikur ishte  e rrethuar nga pemë limonësh, që i jep provincës edhe emrin ‘Limone Sul Garda”. Kjo qytezë me një popullsi prej 150.000 banorësh, pret në një vit një numër të konsiderueshëm turistësh që shkojnë deri në 25 milionë vizitorë nga e gjithë bota.