Një hap larg historisë, Luis Enrique karikon parizienët: Të fitojmë Champions, hera e parë është gjithmonë më e vështira
Paris Saint-Germain është një hap larg shkrimit të historisë, pasi synon të fitojë për herë të parë Champions League. Gjithçka do të varet nga rezultati i finales kundër Inter, këtë të shtunë, më 31 maj në Mynih. Në intervistën e dhënë për UEFA, trajneri i PSG, Luis Enrique, tha:
“Ajo që më motivon më shumë është të bëj historinë me PSG, gjë për të cilën kam ardhur këtu: Të fitoj për herë të parë Champions League”. “E para është gjithmonë më e vështira, është si Botërori i parë për Spanjën. Dikush duhet të udhëheqë rrugën dhe të thotë, ‘Ne mund ta bëjmë këtë!’. Nëse e bëjmë ne, mund ta bëjnë edhe brezat e ardhshëm”, shtoi Enrique.
Ai u fokusua në dy vitet e kaluara në PSG: “Ndryshimi dhe evolucioni i ekipit janë evident. Objektivi ynë ishte të krijonim gradualisht diçka ndryshe, e cila mund të tërhiqte lojtarët në Paris. Ne duhej të bënim blerjet e duhura”. “Ne besuam në profilin e lojtarëve që kërkonim, si Willian Pacho, João Neves dhe Désiré Doué. Të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin. Të gjithë më dhanë besim të plotë kur mbërrita dhe nuk u ndjeva kurrë nën presion.
Vitin e kaluar ishim afër finales”, tha spanjolli. “Fituam kampionatin, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës, që është e mrekullueshme, por Liga e Kampionëve ka qenë prioriteti i klubit për një kohë të gjatë. Unë nuk jam dikush që planifikon të fitojë tituj në tre ose katër vjet”, tha Luis Enrique.