Thu, May 29, 2025

EKSKLUZIVE/ “Dua lojtarë shqiptarë”, presidenti Llupa: Ju tregoj sezonin e parë të Elbasanit në Superiore (E PLOTË)

  • PublishedMay 28, 2025

EKSKLUZIVE/ “Dua lojtarë shqiptarë”, presidenti Llupa: Ju tregoj sezonin e parë të Elbasanit në Superiore (E PLOTË)

Do të duhej të ishte ndoshta më i mërzituri për mospjesëmarrjen e Elbasanit në Kupat e Europës, duke humbur në ndeshjen finale me Partizanin. Mirëpo, është ai që i jep zemër ekipit për atë që treguan një edicion më parë në debutim, duke parë gjithnjë nga e ardhmja.

Bëhet fjalë për presidentin Kujtim Llupa, i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” flet për atë që lanë pas dhe objektivat e këtij viti. Ndoshta eksperienca ndikoi për të mos shkuar në Europë, por këtë sezon tregon hapur ambicien që kanë, ku nuk do të kursehen në merkato. Sa u përket transferimeve i ka lënë dorë të lirë drejtorit sportiv, por do të preferonte më shumë lojtarë vendës, edhe pse e pranon se në fund rëndësi ka të vijnë lojtarë cilësorë. Në fund, Llupa ka edhe një mesazh për tifozët elbasanas.

President, si do e përkufizoni sezonin që sapo lamë pas?

Personalisht e përkufizoj si një sezon të suksesshëm, duke menduar që vinim nga një kategori më poshtë. E kam thënë që në fillim se Superiorja është “tjetër muzikë” dhe ka tjetër angazhim. Mendoj që ekipi bëri mirë, me disa luhatje të cilat janë normale për çdo ekip në një kampionat të gjatë. Ndaj, në përgjithësi ekipi meriton fjalën pozitive për gjithë sezonin në tërësi.

Sa ndikoi eksperienca në mosarritjen e “Final 4”?

Mendoj se te kjo pjesa e eksperiencës çaluam, te minifinalja me Partizanin. Një pjesë e mirë e lojtarëve nuk ishin përballur me një ndeshje që kishte një presion më të madh. Në momentet decizive të ndeshjes, ndoshta ndikoi edhe eksperienca.

Cila ndeshje ka qenë pengu juaj, duke qenë se për pak do ishin ne “Final 4”?

Të them të drejtën, më shumë peng kam dy ndeshjet në Elbasan me Skënderbeun, ku jemi ndalur në barazim. Kemi goditur me dhjetëra herë portën, madje kemi humbur edhe penallti dhe më vjen keq që në fund nuk kemi dalë me pikët e plota.

Keni nisur të mendoni për sezonin e ri apo është herët?

Sapo ka përfunduar ndeshja me Partizanin, pas dy ditësh jemi ulur, kemi kaluar atë mërzitjen e mos marrjes pjesë në “Final 4” dhe menduar për sezonin e ri. E thashë që unë e shoh si sukses sezonin që lamë pas dhe të mos harrojmë se ekipe të tjera që janë sot fituese të trofeve kanë pasur oshilacione të mëdha në sezonin e parë në Superiore.

Cilët do të jenë objektivat për këtë sezon?

Objektivat janë të qartë. Nëse do të jetë sistemi “Final 4” synojnë të jemi në katërshe, nëse jo, të marrim pjesë në Kupat e Europës.

Si po shkojnë gjërat në merkato?

Merkaton deri tani e keni bërë ju gazetarët. Të paktën, unë me stafin tim nuk i kam këto emra që janë përfolur në media. Nuk i kundërshtoj, por nuk i kam pasur deri tani në tavolinë si opsione. Merkaton ia kam besuar drejtorit sportiv, Elton Guranjakut, gjithnjë duke u këshilluar me mua dhe stafin dhe jam i bindur tek afrimet që do të bëjmë.

Ku do të jetë më shumë e fokusuar merkato, brenda apo jashtë vendit?

Personalisht mua do të më pëlqente tregu vendas, sepse edhe e njohin më mirë futbollin tonë. Gjendja emocionale ndikon te lojtarët, fakti që janë afër familjes apo shtëpisë së tyre. Por, nuk e përjashtoj në mënyrë kategorike që do të shoh edhe tregun jashtë. Ideja është se varet ku do e gjejmë atë lojtarin që mund të na shërbejë dhe nuk bëhet fjalë më për thjesht dëshirë, por është edhe çështje mundësie.

Si e shihni sezonin e ri, duke njohur edhe skuadrat që do të ngjiten?

Mendoj se çdo sezon Superiorja është e vështirë. Këtë vit ngjitet një skuadër elitare si Flamurtari që ka bërë histori. Nga ana tjetër edhe Vora që ka qenë një ekip modest dikur, por tani jo më. Në tre vitet që unë po angazhohem në futboll, ka dhënë pjesën e vet në kontributin për rritjen e futbollit. Gjej rastin t’u uroj suksese të dyja skuadrave, që dikur ishin rivalët tanë në të Parën dhe tani në Superiore.

Flitet për një ndryshim skeme sezonin që vjen, ju cilën do të preferoni?

Nuk mendoj se duhet të fokusohemi shumë te skema, cilado të jetë për ne nuk ndryshon asgjë. Nëse ndërton një skuadër cilësore dhe të mirë, skema dhe çdo gjë tjetër kalon në plan të dytë.

Në fund, edhe një mesazh për tifozët, nëse keni…

Kam vetëm falënderime për tifozët, të cilët kanë dhënë kontributin e vet maksimal gjatë gjithë sezonit për mbështetjen ndaj ekipit. Nuk duhet të ndihen të zhgënjyer nga ekipi, sepse vinte nga një kategori më poshtë dhe bëri më të mirën. Uroj dhe jam i bindur që do ta mbështesin skuadrën në çdo moment.

 


AlbaniaWeb.net