“Kemi besim”, Asllani-Calhanoglu: Të sjellim Champions në Milano
Nga ëndrra për “tripletën” e famshme, Inter rrezikon të mbyll sezonin me zero tituj. Ekipi i Inzaghit synon me çdo kusht triumfin në Champions League, çdo përfundim tjetër do të ishte një dështim, për këtë arsye finalja kundër PSG është kthyer në jetike për klubin zikaltër. Në shtëpinë e Inter ka lënë një shije të hidhur dështimi në Serie A, ku Napoli i rrëmbeu titullin, fakt që e pranon edhe Asllani:
“Ka ende zhgënjim për titullin e humbur, por duhet ta lëmë mënjanë pasi tani kemi Champions League. Kjo është një sfidë që nuk luhet çdo vit, ndodh pak herë. Duhet të jemi të përqendruar, duhet ta luajmë këtë finale me gjithë forcat që kemi për të sjell në shtëpi atë trofe. Fakti që eliminuan Bayern Munich dhe Barcelonën na ka bërë më të fortë. Ne e njohim forcën tonë, por në të njëjtën kohë e dimë se përballë kemi një skuadër të madhe, me lojtarë dhe trajner të madh, ata duhen respektuar”, u shpreh Asllani i cili përpara finales së Champions sheh që emri i tij vijon të qarkullojë fuqishëm në merkato, ku së fundmi në skenë ka dalë opsioni për një transferim te Lazio pasi Inter kërkon të sigurojë kartonin e Nicolo Ravela-s.
Në të njëjtën linjë me Asllanin ishte edhe Hakan Calhanoglu, në sytë e turkut ky Inter është ndryshe nga ai i tre viteve më parë, ku ishin pjesë e finales së Champions League: “Do të luajmë një finale Champions League për herë të 2 në 3 vitet e fundit, jam shumë i lumtur për këtë. Doja shumë që ta fitorja atë Champions në Stamboll, por nuk ishte e thënë. Shpresojmë shumë që këtë herë t’ia dalim pasi jemi përmirësuar shumë si skuadër, mendoj se kemi fituar eksperiencën e duhur, tani dimë si ta përgatisim dhe ta luajmë një finale. PSG është një skuadër shumë e fortë, ashtu si Barcelona dhe Bayern. Në një finale mund të ndodhë gjithçka, por ne kemi besim, ne besojmë se mund t’ia dalin”, u shpreh Calhanoglu.
()