Sun, Jun 1, 2025

LISTA/ Egnatia “botërore”, kampionët bashkojnë pesë kontinente

  • PublishedMay 28, 2025

LISTA/ Egnatia “botërore”, kampionët bashkojnë pesë kontinente

Të shpallesh kampion dhe të dominosh për të paktën dy sezone radhazi, nuk është asnjëherë e lehtë. Përjashtim nuk bën as kampionati ynë në këtë aspekt, edhe pse Egnatia ia ka dalë me sukses deri më tani. Synimi është që ky dominim të vijojë edhe në të ardhmen, edhe pse sigurisht nuk do të jetë një mision i lehtë.

Por, për të arritur deri në këtë pikë, drejtuesit janë detyruar që të përzgjedhin lojtarë anembanë botës. Bëhet fjalë për futbollistë që vijnë nga mijëra kilometra larg, me synimin e vetëm për të ndihmuar rrogozhinasit të shpallen kampionë. Janë jo pak, por plot nëntë futbollistë që vijnë nga pesë kontinente të ndryshme, nga shtatë të tilla që njihen zyrtarisht sot në botë, njëra madje thuajse e pabanuar.

5 KONTINENTE – “Panorama Sport” mundohet t’u japë një pasqyrë të qartë lojtarëve të huaj dhe kontinenteve nga ata vijnë. Kanë sjellë në Rrogozhinë kulturat e tyre, por kanë në fund një emërues të përbashkët: triumfin. Për t’i marrë me radhë, me Egnatian luajnë dy futbollistë nga Brazili, Fernando Medeiros dhe Leo Melo, të cilët i përkasin kontinentit të Amerikës së Jugut. I pari ka luajtur një rol kyç në ekip, ndërsa i dyti ka treguar vlerat sa herë është aktivizuar në skuadër.

Në ekip janë edhe katër lojtarë nga kontinenti afrikan, por nga vende të ndryshme. Më konkretisht, bëhet fjalë për Daniel Uotlain nga Nigeria, Sumaila Bakajokon nga Bregu i Fildishtë, Saliu Guindo nga Mali dhe Muhamed Jahaja nga Ganë. Të gjithë të rëndësishëm në pozicionet e tyre, sidomos në fazën ofensive. Lista e të huajve vijon me mbrojtësin Zamig Alijev. Ai është nga Azerbajxhani, por përfaqëson dy kontinente, Azinë dhe Europën, për shkak të vendndodhjes së shtetit të tij që shtrihet mes dy kontinenteve, edhe pse në futboll i përket pjesës europiane. Në Azi është edhe një lojtar që ka qenë tërësisht në hije dhe është përdorur shumë pak, vetëm pak minuta, Jazan Madani. Ai është nga Arabia Saudite, që gjithashtu bën pjesë në kontinentin aziatik. Në fund kemi edhe Fransua Dylis, nga Haiti i largët, një shtet që bën pjesë në kontinentin e Amerikës së Veriut. Me këta nëntë lojtarë plotësohet “pazëlli” i futbollistëve nga pesë kontinente të botës që kontribuuan në titullin kampion të Egnatias.

AUSTRALIA & ANTARKTIDA – Vetëm nga kontinenti i Australisë apo i Oqeanisë dhe i Antarktidës nuk ka përfaqësues në ekipin e Egnatias. Maksimumi mund të pretendohet një futbollist nga Australia, sepse në Antarktidë nuk banon njeri, për shkak se kontinenti ka kushte ekstreme të motit. Mbetet për t’u parë nëse këtë vit do të gjendet ndonjë lojtar nga Australia e Largët për t’ia bashkuar ekipit, me jehonën e titullit kampion të rrogozhinasve, që të dëgjohet në të gjithë cepat e globit.

 


AlbaniaWeb.net