Fri, May 30, 2025

Merret vendimi, qeveria jep 80 milionë lekë për “Durrah City Football Academy”

  • PublishedMay 28, 2025

Merret vendimi, qeveria jep 80 milionë lekë për “Durrah City Football Academy”

Qeveria shqiptare miratoi së fundmi në Fletoren Zyrtare përdorimin e fondit prej 80 milionë lekë për “Durrah City Football Academy” 2025.

Gjithashtu, bëhet me dije se fondet buxhetore do t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin.

Vlen të theksojmë se edhe më herët, qeveria shqiptare kishte akorduar një fond prej 90 milionësh lekësh, për shpenzimet e vitit 2024.

Akademia e Futbollit “Durrah City” është pjesë e një projekti të  Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, së bashku me “City Group”.

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY” PËR VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Përdorimin e fondit prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2026, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.

Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU


AlbaniaWeb.net