Euro U-17/ Franca ekipi i parë finalist i Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”, pret fituesin e Itali-Portugali
Franca është ekipi i parë finalist i Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. “Gjelat” mundën në gjysmëfinale Belgjikën me rezultatin 3-2 dhe siguruan finalen e madhe të 1 qershorit.
Në stadiumin “Elbasan Arena” u zhvillua një ndeshje shumë e bukur. Pjesa e parë ishte shumë e luftuar dhe ishte Belgjika që krijoi më shumë raste të pastra për shënim.
Në fund të pjesës së parë u shënuan dy gola. Franca mori avantazhin me Abdoulaye Camara në minutën e 42-të, ndërsa në minutat shtesë Belgjika barazoi me anë të një penalltie, që u kthye në gol nga Noah Fernandez. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Fraksioni i dytë nisi më mirë për Francën, që shënoi dy gola të shpejtë me Rudy Matondo dhe Djyilian N’Guessan, duke e çuar rezultatin në 3-1.
Belgjika rihapi ndeshjen në minutën e 79-të me Axl Wins, i cili shënoi një eurogol nga goditja e dënimit. Belgët luftuan deri në fund për të barazuar, por pa sukses. Ndeshja u mbyll 3-2 për Francën.
Ekipi i dytë finalist do të vendoset më vonë në “Arenën Kombëtare”. Ndeshja e dytë gjysmëfinale Itali–Portugali do të startojë në orën 20:30.
()