Fri, May 30, 2025

Vllaznia largon Stojanoviç, situatë “gri” në merkato. Drejtuesit janë në një udhëkryq

  • PublishedMay 29, 2025

Vllaznia largon Stojanoviç, situatë “gri” në merkato. Drejtuesit janë në një udhëkryq

Ashtu siç ishte paralajmëruar që në mbyllje të kampionatit nga ana e “Panorama Sport”, Milos Stojanoviç është larguar nga Vllaznia.

Një gjë e tillë është bërë zyrtare të mërkurën pasdite nga ana e klubit shkodran, ku me anë të një falënderimi në rrjetet sociale për kontributin e serbit, ka zyrtarizuar edhe largimin e këtij të fundit. Milos Stojanoviç, në rolin e qendër mbrojtësit është aktivizuar për 2 sezone në Shkodër.

“Pas 2 vitesh bashkëpunimi, mbyllet këtu rrugëtimi i futbollistit Milos Stojanoviç me fanellën kuqeblu. KF Vllaznia e falënderon atë për kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme”, njoftonte klubi në rrjetet sociale.

SHIFRAT – Në edicionin 2024-25, Stojanoviç zbriti 28 herë në fushën e lojës duke shënuar edhe 3 gola. Në futbollin tonë më parë shtatlarti është aktivizuar edhe me Kastriotin dhe Bylisin. Me këtë largim, te Vllaznia duket se ka nisur “spastrimi”, ku fatin e 28-vjeçarit pritet të kenë edhe disa futbollistë që milituan në radhët e kuqebluve gjatë sezonit 2024-25.

MERKATO – Pavarësisht zërave të shumta këtë periudhë te Vllaznia për afrime apo largime futbollistësh, ende asgjë nuk është konkretizuar në kampin shkodran. Për momentin nuk ka asnjë lëvizje zyrtare si në hyrje apo në dalje të lojtarëve në radhët e klubit shkodran. Në këtë mënyrë duke krijuar një situatë “gri” për momentin në ambientin e futbollit shkodran, ku edhe tifozët apo edhe analistët në qytet ende nuk kanë një mendim apo ide konkrete se si mund të jetë sezoni i ri për kuqeblutë, pasi ende po mungojnë emrat konkretë dhe pastaj mund të bëhet një analizë apo parashikim për atë çfarë mund të dhurojnë 9 herë kampionët e vendit në sezonin 2025-26.

Për momentin, situata nuk është as e “zezë” dhe as e “bardhë” në kampin shkodran. Skuadra dhe drejtuesit duket se janë mes shumë udhëkryqesh dhe idesh, pavarësisht se ekipi për sezonin e ri në Superiore pritet të marrë formë në javët e para të verës e për t’u kompletuar deri para nisjes së eliminatoreve të Conference League. Dhe deri në ato momente, lajmet e “skupet” do të jenë të panumërta në kampin shkodran dhe jo vetëm në Superiore.


AlbaniaWeb.net